AMP ka ekzekutuar masat e caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit për 5 punonjës të policisë. 3 prej tyre janë në arrest shtëpie për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim kompjuterik”, ndërsa dy të tjerët janë pezulluar nga puna.

Bazuar te hetimi 4-mujor, efektivët kishin kryer veprime korruptive me drejtuesit e automjeteve.

Siç raporton gazetari i Klan News Fatos Salliu, bëhet fjalë për efektivët: Endri Hazizi, Aurel Tahiri, Xhevahir Stërmugu, Eraldi Koprençka dhe Nertil Xhemalaj.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurimit personal, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ndaj  5 punonjësve të policisë me detyrë “Trupë shërbimi” pranë Seksionit të Menaxhimit Urban dhe Interurban në DVP Elbasan, të dyshuar për kryerjen e veprave penale ”Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Fallsifikim kompjuterik”.  

Masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për punonjësit A. T., 32 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe XH. S., 50 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ”Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Falsifikim kompjuterik”.  Masa e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a funksioni publik” për punonjësit E. K., 33 vjeç dhe N. XH., 34 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Pas hetimit 4-mujor të kryer nga AMP me metoda speciale proaktive nën drejtimin e Prokurorisë, është arritur të vërtetohej me prova përfshirja e këtyre punonjësve në veprime korruptive me drejtues automjetesh, të cilët ishin kapur në shkelje administrative nga aparaturat e radarit të Policisë Rrugore”, thuhet në njoftimin zyrtar./tvklan.al