Objektet e ujësjellësave në vendin tonë do të pajisen me kamera, çka do të sjellë rritje të sigurisë së furnizimit me ujë për qytetarët. Vetë zv/Kryeministrja Belinda Balluku ka njoftuar se ky projekt do të ofrojë monitorim 24 orë në 7 ditë të javës.

Puna po vijon për rrethimin dhe vendosjen e kamerave në 143 objekte në Fier, Mallakastër, Patos dhe Roskovec, ku do të mbikëqyren në kohë reale nëpërmjet sallës së operimit dhe monitorimit.

Ky proces do të vazhdojë të shtrihet më tej në të gjithë vendin, me synim rritjen e sigurisë dhe cilësisë së ujit për të gjithë konsumatorët.

Siguria dhe modernizimi i sistemeve të ujësjellësave është tashmë në fokus të investimeve pasi shumë nga këto objekte e sigurojnë vetë prodhimin e energjisë nëpërmjet paneleve diellore për të vënë në punë pompat e ujit.

Nga ana tjetër, pas reformave të nisura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përveç investimeve vitet e fundit është rritur edhe niveli i arkëtimeve dhe janë ulur humbjet në rrjet.

Klan News