Dy lagje të Shkodrës të përmbytura në fillim të muajit janë rikthyer normalitetit. Uji është tërhequr nga qendrat e banuara në Ajasëm dhe Baçallëk, ku pak ditë më parë niveli i tij arriti në afro 2 metër. Ndërprerja e reshjeve, ajo e shkarkimeve nga kaskada e Drinit dhe forcimi i argjinaturave janë shkaqet e këtij normaliteti. E menjëherë pas largimit të ujit ka nisur edhe kthimi i banorëve të parë. 240 të evokuar janë rivendosur në banesat e tyre, me shpresën për të mos u ndeshur më me një situatë të tillë, për të cilën thonë se nuk është parë prej dekadash.

Qytetar: “S’ka 20 vjet që e kam bërë këtë shtëpi. Erdhi uji na lajmëruan, e braktisëm edhe shpinë momentalisht. Uji ka ardhur gjithmonë, kjo është e pranishme. Qysh në 63-shin nuk na ka pas ardhur uji kështu i madh. Shirat, koha, dihet ajo punë, na dha një goditje, ndaç fizike, ndaç morale. Dëmet po i shihni vet”.

Qytetare: “Ka ardhur uji  edhe herë të tjera, por ka ik shpejt. Si ky nuk kam parë. Ne rrimë sa herë bie shi, hapen portat ,ne tërë frikë rrimë”.

Qytetar: “Ka ardhur edhe një herë po ka shumë vite që ka pas ardh …. Se uji është pabesi. Sikur të thotë ajo tjetra që, dolën tinguj që gjoja ka rrezik edhe një digë fjala vjen, do kish përmasa të tjera”.

Pas kësaj ngjarje janë të shumë ata që mendojnë se jetesën e tyre ta zhvendosin nga kjo zonë, por ky duket një misioni pamundur.

Qytetar: “Po ne këtu le këtu u plakëm, ku ta ndërtojmë? Veç me e ndërtu më poshtë. Pasha besën mundësitë ekonomike  nuk i kam për ta ndërtuar hë për hë. Ne jemi dhe pa pune dhe pa të ardhura ku të shkojmë? Ne i kërkojmë ndihmë shtetit me e pa këtë situatë këtë gjendje asgjë tjetër”.

Qytetare: “Me pas mundësi me na ndihmu kush, a ikim ndërtojmë diku tjetër, nga me shku? Uji po largohet pak nga pak dhe nga zonat e tjera, Në shumë prej tyre situata mbetet ende problematike, siç është lagjja “Livadhe” në Shkodër. Akset rrugore janë të kalueshme, problem ka vetëm ne Velipojë. Në tre ditë uji është tërhequr nga  më shumë se 3 mijë hektar tokë e 500 shtëpi./tvklan