Prej 30 Dhjetorit, Unaza e Madhe e Tiranës është hapur për qarkullimin e automjeteve duke ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e trafikut në kryeqytet, por do të ketë një ndikim të rëndësishëm edhe në ekonomi pasi vlera e pasurive të paluajtshme në pjesën ku kalon ky projekt është dyfishuar, duke shkuar në 1,200 Euro/metri katrorë nga 600 Euro që ishte para nisjes së ndërtimit të kësaj autostrade.

Për realizimin e projektit janë spostuar mbi 654 ndërtesa dhe pronarët e tyre janë trajtuar me bonus qiraje ose janë dëmshpërblyer sipas vlerave përkatëse të tregut. Unaza e Madhe e Tiranës është e kategorisë “A”, urbane dhe është pajisur me ndriçim, sinjalistikë rrugore dhe zona të gjelbra.

Unaza Veriore, segmenti që u hap në fund të Dhjetorit ishte e ndarë në 7 lote. Pjesë e projektit janë disa vepra arti, 4 kryqëzime në disnivel, 1 viadukt me gjatësi 420 m, dhe 2 ura mbi lumin e Tiranës me gjatësi përkatësisht 280 m dhe 130 m.

Janë ndërtuar gjithashtu mure mbajtëse dhe pritëse, si dhe janë realizuar punime për mbrojtjen lumore me pilota, punime për spostimin e linjave të kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit dhe linjave të tensionit të mesëm dhe të lartë. Megjithatë, deri në fund të Janarit pritet të përfundojnë edhe disa nyje të tjera lidhëse sipas Ministrisë së Infrastrukturës.

Këtë vepër të rëndësishme infrastruktuore e ka ndarë në rrjetet sociale edhe Kryeministri Edi Rama duke nënvizuar se kjo arterie e re prej rreth 28 km ofron tjetër mundësi për qytetarët dhe qarkullimin e automjeteve.

Klan News