Në Tiranë vijojnë punimet për Unazën e Madhe. Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi punimet në lotin 1 të Unazës. Bëhet fjalë për segmentin nga nyja Shqiponja-lumi i Tiranës.
Balluku u shpreh se afati i dorëzimit të projektit është fundi i Dhjetorit. Ajo theksoi se disa lote do të dorëzohen gjatë muajit Nëntor, por ato nuk janë të përdorshme për sa kohë nuk ka një lidhje të plotë të Unazës.
Prandaj afati i përfundimit të punimeve është marrë kantieri në lotin 1, për të cilin Balluku shpreson që gjithçka të shkojë sipas planit në mënyrë që qytetarët të kenë në përdorim një prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore jo vetëm për kryeqytetin.
“Ne kemi një afat dorëzimi dhe për këtë lot. Pavarësisht se disa lote do të dorëzohen gjatë muaji Nëntor, ato nuk janë të përdorshme për sa kohë nuk kemi një lidhje të plotë Unazës. Afati i dorëzimit për të gjithë Unazën është pikërisht afati i dorëzimit i këtij kantieri që është fundi i Dhjetorit. Unë shpresoj t’i qëndrojmë pasi është një premtim që e kemi dhënë dhe duam ta mbajmë. Duam që Tirana të zgjohet në vitin e ri me Unazën e Madhe të plotësuar tashmë. Mund të ngelin disa detaje të vogla si zakonisht, që kanë të bëjnë me mobilimin urban më tepër, apo me çështje të tjera. Sigurisht jo me sinjalistikën pasi ne e dorëzojmë me sinjalistikë të plotë duke qenë se siguria rrugore ka përparësi në të gjitha akset që vendosen në përdorim. Shpresoj shumë që t’i qëndrojmë afateve. Shpresoj që gjithçka të shkojë sipas planit”, tha Balluku./tvklan.al