Këtë vit në asnjë universitet nuk do të ketë kuota shtesë për pranimet në shkollat e larta. Shefi i Drejtorisë së Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit ka deklaruar se nuk kanë pasur kërkesa nga rektoratet për kuota shtesë.
“Tani për tani nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga ana e rektorëve të shkollave të larta për shtesa në kuotat e pranimit në universitetet dhe në të gjitha shkollat e larta të vendit. Kërkesat duhet të vijnë patjetër nga senatet akademikë të shkollave të larta.”
Rektori i Universitetit të Tiranës ka deklaruar se kapacitetet e fakulteteve të këtij universiteti nuk mund të përballojnë një numër më të madh studentësh. Kjo është dhe arsyeja pse ata nuk kanë kërkuar kuota pranimi më të larta. Ndërkaq studentët fitues do të kenë afat për tu regjistruar pranë fakulteteve deri në datën 3 tetor.
Përveç dokumenteve të kërkuara, të cilat duhet të dorëzohen brenda këtij afati pranë sekretarive mësimore të fakulteteve, studentët duhet të paguajnë dhe tarifën vjetore të regjistrimit që këtë vit është rritur nga 7 000 që ishte një vit më parë në 10 000 lek të reja. Këtë rritje Ministria e Arsimit e justifikon me rritjen e nivelit ekonomik të jetesës. /tvklan.al