Mund ta kesh fituar të drejtën për të studiuar në universitetin e Vlorës. Por drejtuesit e tij ta mohojnë atë. Një kriter absurd i rregullores së këtij universiteti rrezikon të lërë pa arsim të larte rreth 500 maturantë, ndonëse ata janë shpallur fitues. Senati ka vendosur të s’kualifikoje të gjithë maturantët që nuk kane mesatare mbi 6, pavarësisht rezultateve që ata kanë marrë në provimet e maturës shtetërore. Shumë prej të rinjve sorollaten prej disa ditësh në dyert e universitetit pa mundur të regjistrohen në degët fituese. Emrat e tyre nuk figurojnë në listat e afishuara edhe pse janë shpallur fitues nga Ministria e Arsimit.
“Gazeta më ka nxjerrë fitues në lëndën e informatikës, edhe këtu tani më del që nuk ekziston emri im dhe unë të jem fitues”.
Gazetarja: Me ça mesatare je?
“Mesatare 5.7”.
“Për matematik”
Gazetarja: Dhe këtu nuk pranohi?
“Jo. Vajta për t’u regjistruar nuk ishte emri fare”.
“Çfarë kërkoj unë, djali të vazhdojë shkollën”.
“Konkurrova për cikël të ulët edhe në Tiranë nga ministria më pranuan kurse këtu po s’pate mesataren mbi 6 nuk të pranojnë. Çfarë mund të bëjmë ne tani?
Zv/Rektori i Universitetit thotë se vendimi është marre për të rritur në cilësinë në këtë universitet. Në fakt ky kriter nuk është pranuar nga Ministria e Arsimit. Por pavarësisht këtij fakti, në mënyrë krejt arbitrare dhe në shkelje flagrante të ligjit për arsimin e lartë, vendimi i këtij universiteti do të zbatohet.
Eustrat Zhupa: “Në ligj është e parashikuar që në universitet mund të përcaktojnë kritere shtesë të veçanta për pranimet. Ministria siç duket nuk e ka marrë parasysh, por ne mendojmë se jemi në.. kemi vepruar sipas ligjit dhe kemi ushtruar kompetencat që na jep ligji i arsimit”.
Gazetarja: Dmth nuk do të pranohet asnjë student me mesatare nën 6?
Eustrat Zhupa: “Jo në universitetin e Vlorës jo”.
Sipas listave të publikuara nga Ministria e Arsimit, në Universitetin Publik të Vlorës kanë fituar të drejtën për të ndjekur studimet e larta rreth 1700 studentë, nga të cilët 500 me mesatare nën 6-të. Në bazë të rregullores së përcaktuar në ligjin për arsimin e lartë ata nuk mund të regjistrohen në asnjë universitet tjetër. Skandali mund t’u privoje qindra të rinjve fitues të drejtën për të ndjekur studimet e larta, në kundërshtim edhe me politikat e qeverise për liberalizimin e arsimit të lartë./tvklan.al Gazetare: Ornela Hila