Studentët e universitetit të Vlorës janë përfshirë për të disatën herë në grevë, shkaqet e së cilës ata nuk i kanë të qarta, por këtë herë protagonistët e protestës janë pedagogët. Studentët e ardhur nga rrethinat e Vlorës, janë vendosur përpara faktit të kryer të protestës, për të cilën shumë prej tyre nuk e kishin idenë e shkaqeve, veç faktit që ajo organizohej nga pedagogë.
Studente: “Ne erdhëm se dënim se s’do bëhej mësim, sepse disa pedagogë, u informuam që disa pedagogë ishin dakord për grevë, por 90% e tyre ishin dakord për grevë, por 10% jo, kështu që te ajo 10% mund të ishte dhe pedagogu im që mund të bëja mësim sot, kështu që.
Gazetarja: “I di arsyet e kësaj proteste?
Studente: “Di që janë për arsye për pedagogët jo për ne. S’na është marrë mendimi jemi dakord apo s’jemi dakord”.
Studente: “Kisha provim dhe thashë mbase, nuk e dija të saktë dmth”.
Gazetarja: “I dini arsyet e grevës?
Studente: “Di që është për pedagogët, por kaq”.
Studente: “Nuk ishte sigurt që do ishte greva gjithë ditën, ishte pa limit kohe. Mund të ishte për një farë periudhe, pastaj do vazhdonte mësimi rregullisht, ndërsa tani nuk na lejojnë që të futemi në godinë”.
Pedagogët kanë hyrë në grevë pa afat menjëherë pas një email-i të dërguar nga Rektori Tanush Shaska. Ata kanë firmosur një peticion drejtuar Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, ku i kërkohet promovimi i stafit për dhënien e titujve akademik. Hapja e programeve dhe degëve të reja, si dhe shtimi i auditorëve. Sipas zv/rektorit Eustrat Zhupa, greva do të zgjasë deri në plotësimin e tre kërkesave.
Eustrat Zhupa: “I kemi nxjerrë dhe në një deklaratë për shtyp. Kërkesa e parë është promovimi i stafit akademik, Universiteti i Vlorës duhet të ketë të drejtën, si gjithë universitetet e tjera publike të promovojë stafin pedagogjik. Kërkesa e dytë janë hapja e degëve të reja për studentët e Universitetit të Vlorës dhe kërkesa e tretë, ambiente, auditorë dhe vende të reja pune”.
Gjatë ditës së sotme në Universitetin e Vlorës nuk është zhvilluar asnjë orë mësim, madje as provimet që ishin në program./tvklan.al