Viti i ri akademik ka nisur sot edhe për 4000 studentët e universitetit privat UFO. I hapur 4 vjet më parë me kursin e partë të studimeve në degën e stomatologjisë vetëm me rreth 100 studentë, ky universitet tashmë ka 3 fakultete të përbërë nga 8 departamente, atë të stomatologjisë, farmacisë, arkitekturës, financë bankës, shkencave juridike, shkencave politike, shkencave të komunikimit, si dhe departamentin e psikologjisë.

Ky universitet nga më të kërkuarit nga të rinjtë shqiptarë për të ndjekur studimet e larta, ka një staf të përbërë nga 100 pedagog të kualifikuar dhe nga më të njohurit në qarqet akademike.

Pavli Kongo: “Krahas rritjes së numrit të studenteve, ka ardhur në rritje dhe numri i pedagogëve dhe ajo që është e rëndësishme është fakti që ne numërojmë mbi 100 pedagog me tituj dhe grada shkencore me një karrierë të pasur akademike”.

Numri i universiteteve jo publike në Shqipëri këto vitet e fundit është rritur ndjeshëm, ndërkohë që diskutohet shumë dhe për cilësinë e mësimdhënies në to. Por për rektorin e universitetit të UFO, Profesor Doktor Pavli Kongo, në këtë universitet cilësia e mësimdhënies është e garantuar.

Pavli Kongo: “Pozitivi tjetër është fakti që të gjitha lëndët po thuajse të gjitha lëndët që zhvillohen në universitetin tonë, në të gjitha degët mbulohen me tekste”.

Kohët e fundit qeveria shqiptare ka vendosur të kontraktoj një kompani e cila do të kontrollojë standardet dhe cilësinë e mësimdhënies në universitet shqiptare publike dhe private. Por rektori Kongo, thotë se ky proces filtrimi që do t’i bëhet shkollave të larta shqiptare nuk e frikëson aspak stafin pedagogjik të universitetit UFO. Kjo dhe për shkak të standardeve që ofron ky universitet.

Pavli Kongo: “Unë jam i bindur që nisur nga atë vlerësim që ka bërë ekipi i parë, jam i bindur që ne i kemi të gjitha gjërat konformë ligjit të arsimit të lartë, duke nisur që nga rregullorja, duke nisur që nga kutikula, duke vazhduar me mënyrën e kontrollit të studentëve, duke vazhduar me dokumentacionin për çdo student, duke vazhduar me mënyrën e marrjen të studentëve në provim. Në i kemi të gjitha gjërat konformë ligjit”.

Vetë studentët janë të sigurtë se me kualifikimin dhe dijet e marra në universitetin UFO, janë gati të konkurrojnë në tregun e punës përkrah studentëve të diplomuar në universitetet më të mira jashtë dhe brenda vendit.

Alban Duraj: “Zgjodha Universitetin UFO, sepse Universiteti UFO është një universitet mjaft prestigjioz. Nuk i trembem morive të universiteteve të cilat janë të pa krahasueshëm me UFO Universiti. Në një treg të lirë të ekonomisë së tregut do të mbijetojë ai që është më i zoti, ai që është kualifikuar në mënyrë më të mirë, në mënyrë sistematike dhe ka pasur një praktikë të gjerë gjatë kësaj periudhe rreth 4 viteve. Kshuqë kjo ne nuk na ka munguar”.

Adela Terpo: “UFO është një universitet ndër më të mirët private që ekziston këtu në Shqipëri dhe na ofron një mori shumë të madhe cilësi. Dmth kemi cilësi shumë të madhe edhe gjithashtu edhe konkurrenca është e mirë. Pra kemi një diferencim nga ana e cilësis për shkak se pedagogët janë gjithmonë këtu, na ndihmojnë e nuk kemi asnjë lloj problemi”.

Gazetarja: A e keni pasur të vështirë, ka pasur dilema nëse duhet të shkonit në një universitet publik apo universitet privat?

Xhoana Haka: “Jo. Që kur e mbarova shkollën e mesme, mendova që të studioja në një universitet privat, thjeshtë nga standardet e mira që ofrojnë dhe universiteti UFO është një ndër këto që ka arritur standardet evropiane dhe ka një staf shumë të përgatitur. Nuk kam pasur ndonjë dilemë”.

Këtë vit studentët e degës së arkitekturës do të kenë fatin të studiojnë në një ndërtesë të re e të rikonstruktuar e me kushte tejet moderne. Shiritin e saj e ka prerë sot kryeministri Berisha, i cili ka zgjedhur këtë universitet për të uruar studentët e sistemit universitar privat për vitin e ri akademik.

Kjo godinë e cila ndodhet në rrugën e Kavajës, është ndërtuar në vitin 1942, ku ka qenë e vendosur Ministria e parë e Arsimit, ndërkohë që më pas aty u vendos gjimnazi i parë i kryeqytetit gjimnazi “Qemal Stafa”. Por për ti dhënë këtë fytyrë të re kësaj godine që vetëm 2 muaj më parë kishte këtë pamje, janë dashur plot 1 milion euro…./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Metlin Kepi

Montazh: Ergis Hasanbelli