Ura e Bogovës është rivënë përsëri në funksionim. E rrëzuar disa ditë më parë nga vërshimi i ujërave të përroit të Bogovës, kjo urë ndau në mes kalimin e banorëve dhe automjeteve midis zonës së Beratit dhe të Skraparit.
Me iniciativën e Ministrisë së Mbrojtjes u angazhuan për ndërtimin e saj forcat xheniere të brigadës së Tiranës, të ndihmuara dhe nga trupat komando të cilat vunë në funksionim mbikalimin për dy ditë.
Zëvendës ministri i mbrojtjes Pavli Zëri pas përfundimit të punimeve në këtë urë u shpreh:
“Është bërë një punë në një kohë të paimagjinueshme. Forcat e armatosura, një kompani mikse e Brigadës së Xhenios, Forcave Komando dhe bazës së furnizimit të Beratit, ngritën urën për dy ditë. Ishte një premtim që i dhanë kryeministrit në vizitën që bëri këtu në Bogovë dhe premtimin e mbajtën. Forcat e armatosura janë të angazhuara totalisht dhe është në misionin e tyre kushtetues për të ndihmuar në raste të tilla të emergjencës civile. Kjo tregon që forcat e armatosura janë në gjendje të kryejnë detyra të tilla janë në gjendje ti vijnë në ndihmë popullatës, pra janë një pjesë përbërëse e gjithë komunitetit civil për ta ndihmuar atë në raste të tilla fatkeqësish”.
Ura metalike është 30 metra e gjatë me aftësi mbajtëse deri në 20 ton. Ajo është një kalimshe ndërkohë që është ndërtuar brenda të gjithë parametrave teknik./tvklan.al