Ushtarët dhe oficerët që shërbejnë në ushtrinë britanike, tanimë do të lejohen të mbajnë mjekër. Sipas udhëzimeve të fundit, mjekra dhe mustaqet duhet të jenë të rregullta dhe të rregulluara siç duhet dhe po ashtu do të kontrollohen në mënyrë rutinore.

Ky rregull i ri hyn në fuqi menjëherë pasi ushtria bëhet e fundit nga forcat e armatosura britanike që lejon personelin e saj të rrisë mjekrën. Një zëdhënës i ushtrisë tha për BBC News se ky ndryshim pason një rishikim të politikës së ushtrisë për paraqitjen e personelit të saj.

“Ne kemi dëgjuar njerëzit tanë dhe kemi vepruar,” tha zëdhënësi.

Drejtuesit e ushtrisë shpresojnë se politika e re do të ndihmojë në tërheqjen e rekrutëve të rinj. Gjithashtu, disa ushtri të huaja, si ato të Danimarkës, Gjermanisë dhe Belgjikës, u lejojnë trupave të rrisin mjekrën.

The Times raportoi se politika e re u njoftua përmes një video-mesazhi nga Oficeri i Klasit 1 Paul Carney, nënoficeri më i lartë.

“Shefi i shtabit të përgjithshëm ka marrë parasysh pikëpamjet tuaja dhe ka vendosur që politika e paraqitjes do të ndryshojë me oficerët dhe ushtarët tanë që do të lejohen të rrisin mjekrën”, ka thënë ai.

Sekretari i Mbrojtjes, Grant Shapps, tha në një intervistë për mediat e huaja vitin e kaluar se ndalimi i mjekrës në ushtri ishte qesharak dhe i bëri thirrje institucionit të “modernizohet”./tvklan.al