Gjykata Kushtetuese rrezikon funksionimin si pasojë e vakancave të krijuara pas largimeve të dy gjyqtarëve të saj, Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi, të cilëve u përfundoi mandati 9-vjeçar. Një tjetër anëtareje, Vitore Tushës, i ka mbaruar gjithashtu mandati, por do të qëndrojë në detyrë.
Kryetari i Gjykatës, Bashkim Dedja, sqaroi për Tv Klan se situata është shqetësuese dhe mund të rrezikojë edhe vendimmarrjen.
“Mungesa e dy gjyqtareve krijon problem në kuorum dhe vendimmarrje, por i takon institucioneve përgjegjëse për të bërë zëvendësimet. Mua më shqetëson mbarëvajtja e punës në gjykatë dhe mungesa e dy gjyqtarëve është problem shumë i madh për gjykatën, qoftë për ngarkesën, qoftë për kuorumin, qoftë për vendimmarrjen, qoftë edhe për shkak të papajtueshmërive që mund të kenë në raste konkrete . Gjyqtarë të caktuar mund të mos marrin pjesë në çështje dhe për pasojë bie akoma më shumë kuorumi dhe kjo e vë në vështirësi funksionimin dhe vendimmarjen”,
thotë Bashkim Dedja.
Që Gjykata Kushtetuese të marrë vendime, neni 32 i ligjit për funksionimin e saj parashikon që “ajo shqyrton çështjet në seancë plenare me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por në asnjë rast të jo më pak se të dy të tretave të tyre”. Thënë ndryshe, nga 9 anëtarë që ka kjo trupë duhen të paktën 6 gjyqtarë për të marrë një vendim.
Alarmin për këtë problematikë, kreu i Gjykatës Kushtetuese thotë se e ka vënë pranë institucioneve përgjegjëse që në prill të vitit 2016.
“Unë i kam vënë në dijeni institucionet përgjegjëse të paktën një muaj siç ka qenë ligji i mëparshëm dhe tre muaj siç parashikon ligji aktual për të bërë zëvendësimet përkatëse dhe ky shqetësim nuk ka lindur sot, pasi dy gjyqtarëve ka dy vjet që u ka mbaruar mandati, qoftë zotit Berberi, si dhe zotit Kristo dhe këtë vit i ka mbaruar mandati edhe zonjës Tusha, edhe pse Kushtetuta dhe ligji thotë që ajo është në detyrë deri sa të vijë zëvendësuesi. Dy gjyqtarëve u ka mbaruar në prill të 2016, ndërsa zonjës Tusha në mars të 2017. Unë i kam vënë në dijeni të gjithë institucionet përgjegjëse, që sipas ligjit janë Presidenti, Parlamenti, dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë”,
shprehet kreu i Gjykatës Kushtetuese.
Zëvendësimet e vakancave duken larg, pasi ende nuk ka nisur nga zbatimi ligji i vetingut, në sitën e të cilit do të duhet të kalojnë edhe kandidatet për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese.
“Jam në dijeni që Gjykata e Lartë filloi një procedurë paraprake por është kërkuar shtyrje për shkak të mos mbledhjes së institucioneve të reja dhe natyrisht që gjithkush që do të vijë në Gjykatën Kushtetuese apo edhe në Gjykatën e Lartë këto kandidatë të parë duhet të kalojnë vetingun. Unë shpresoj që kjo situatë e krijuar të zgjidhet sa më parë”,
shton Dedja.
Ky ngërç i krijuar në Gjykatën Kushtetuese vjen në një kohë kur katër prej ligjeve të reformës në drejtësi presin të shqyrtohen prej saj, pas ankimimeve të bëra nga Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. TV KLAN