Një valë përvëluese dhe trullosëse ka mbërthyer vendet e Ballkanit Perëndimor duke lënë dy të vdekur.

Viktimat, një punëtor ndërtimi, dhe një fermer janë regjistruar në Zagreb dhe Mostar. Ata kanë vdekur në vend nga i nxehti.

Ndërkaq 700 persona janë drejtuar spitaleve kroate, ndërsa 500 te tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Sarajevë të Bosnjës.

Në Maqedoninë fqinje temperaturat arritën rekordin maksimal. 40 gradë celsius. Enti maqedonas për mbrojtjen e shëndetit rekomandoi pakësim të orëve të punës atje ku është e mundur, pasi në të njëjtën kohë kursehet edhe energjia elektrike.

Në Serbi prej ditësh termometri nuk lëviz nga 36 gradët. Meteorologët në rajon paralajmërojnë se këto temperatura ekstreme dhe kaq trullosëse do të zgjasin të paktën tre javë, ndonëse nuk përjashtojnë edhe reshjet gjatë së enjtes.

Ata thanë për Ballkan Site se termometri mund të arrijë mbi 40 gradë celsius duke thyer një rekord të paparë në këto 100 vitet e fundit.

Ajo çka e vështirëson më tej këtë situatë përvëluese është se kjo periudhë do të përshkruhet edhe nga të ashtuquajturat net tropikale, ku edhe gjatë natës temperaturat do të qëndrojnë deri në 30 gradë celsius.

Mjekët si në Shqipëri ashtu edhe kudo tjetër i kanë kërkuar popullatës që t’i qëndrojë larg rrezeve të diellit nga ora 11 deri në orën 17:00 dhe të konsumojnë shumë ujë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle