Banorët e Haifës në veri të Izraelit u zgjuan me një breshëri raketash të Hezbollahut në qiellin e qytetit të tyre këtë mëngjes.
Ushtria izraelite njoftoi se disa raketa u shkatërruan në ajër, ndërsa të tjera ranë në zona të hapura pranë qytetit pa shkaktuar dëme. Në total u numëruan 10 raketa të hedhura. Ndërsa autoritetet libaneze njoftuan se vetëm të Enjten, 92 persona humbën jetën nga bombardimet e ashpra izraelite kundër Hezbollahut.
Mes viktimave është edhe një komandant i lartë i grupit të armatosur pro-iranian. Numri i të vdekurve që prej të Hënës ka arritur në mbi 700. Ndërkaq, në zonat veriore të Izraelit ka nisur grumbullimi i rezervistëve të ushtrisë pasi shefi i shtabit të ushtrisë Herci Halevi la të hapur mundësinë për nisjen e një sulmi tokësor kundër Hezbollahut në Libanin e jugut.
Ndërkaq, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, është pritur me protesta në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ka mbajtur fjalën e tij në kuadër të çeljes së këtij sesioni. Sapo ai i është drejtuar foltores, disa delegacione, përfshirë edhe atë turk, u larguan në mënyrë demonstrative nga salla.
Pavarësisht kësaj, Netanjahu vazhdoi fjalën e tij tha se Izraeli kërkon paqe, pavarësisht se lufton për ekzistencën e tij përballë armiqve që duan asgjësimin e tij.
Tv Klan