Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme. Kështu u shpreh e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn në ceremoninë e dorëzimit të çertifikatave për punonjësit e AMP, të cilët u trajnuan për 3 javë nga misioni ICITAP.
“Pritshmëritë që publiku shqiptar ka për reformën në drejtësi dhe për punën tuaj dhe kolegëve tuaj janë shumë të larta. Dhe kjo ndodh për shkak se ju dhe kolegët tuaj tashmë keni prodhuar rezultate për ta. Dhe sot, 29 prej jush që po diplomohen, janë gati për ta rritur këtë ndikim. Sa herë takohem me zyrtarë të qeverisë, një nga gjërat që theksoj vazhdimisht është se reforma në drejtësi është e pakthyeshme. Dhe unë e them këtë sepse Shtetet e Bashkuara e besojnë atë dhe besojnë te ju.”
Diplomatja u ndal dhe tek puna e SPAK, për të cilën tha se nuk mund të shkojë përpara pa bashkëpunim.
Nancy Vanhorn, E Ngarkuar me Punë e SHBA në Tiranë: Me zotin Dumani, të cilin e kam takuar në disa raste, ai vë në dukje punën që bëni për të zbatuar këto standarde integriteti si vendimtare për punën që ai dhe kolegët e tij në SPAK kryejnë. Nuk ka mundësi që një pjesë e vetme e institucioneve të drejtësisë të ketë sukses pa bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e të gjithë sistemit.
Ervin Hoxha – Ministër i Brendshëm: Synimi ynë është të krijojmë një trupë profesioniste, me integritet të lartë, në përputhje me pritshmëritë e publikut.
Duke e cilësuar AMP vendimtare për funksionimin e policisë, E Ngarkuara me Punë e SHBA, solli në vëmendje ngjarjen e pak ditëve më parë në Shkodër, duke treguar se krimi ka kosto jo vetëm në të ardhura por dhe në jetë njerëzish.
Tv Klan