Prefekti aktual i Vlorës, Vangjel Tavo është kandidati i Partisë Socialiste për kryetar të Bashkisë së Himarës për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 4 Gusht.
Emri i tij u miratua në mbledhjen e Kryesisë së PS-së të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa vendimi u bë i ditur për mediat nga sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi.
Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i PS:Vendosëm në bazë të propozimeve që vijnë nga Bashkia e Himarës për kandidaturën e Vangjel Tavos si kandidat i Partisë Socialiste në garën për kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë.
Pavarësisht situatës së brishtë politike në Himarë që ka shoqëruar arrestimin e Alfred Belerit, socialistët angazhohet që të zhvillojnë një fushatë elektorale të qetë.
Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i PS: Kemi një garë të qetë elektorale dhe ne shkojmë për të pasur një rezultat jashtëzakonisht pozitiv në Bashkinë e Himarës.
Vangjel Tavo u emërua prefekt i Vlorës në Mars të këtij viti, ndërsa më parë ka qenë deputetë i PS-së dhe më pas i LSI-së për qarkun e Gjirokastrës.
Ai gjatë periudhës Korrik 2012 – Prill 2013 ka mbajtur edhe postin e Ministrit të Shëndetësisë. Ndërkohë që opozita ende nuk ka përcaktuar kandidatin e saj për këto zgjedhje, megjithëse në publik kanë nisur të përfliten emrat e parë, mes të cilëve është edhe ai i Petro Belerit, djalit të Alfred Belerit.
Zgjedhjet e parakohshme në Himarë u shpallën disa ditë më parë nga Presidenti i Republikës pasi KQZ konstatoi pavlefshmërinë e mandatit të kryetarit të bashkisë Alfred Beleri për shkak se ai është i dënuar me 2 vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Gjatë mbledhjes së kësaj të hëne të Kryesisë u vendos shtyrja e mbajtjes së kongresit zgjedhor të PS-së më 27 korrik, nga 20 korrik që ishte përcaktuar më parë. Në të do të zgjidhet edhe përbërja e re e Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Tv Klan