Ashtu siç edhe e paralajmëroi nga Dhërmiu kryeministri Edi Rama, Kryesia e PS-së vendosi që Vangjel Tavo të jetë kandidati për zgjedhjet e pjesshme në bashkinë e Himarës që do të mbahen më 4 gusht.
Pas një mbledhjeje të shkurtër, ku u votua unanimisht për kandidaturën e Prefektit të Vlorës nga të gjthë anëtarët e kryesisë, detajet i dha sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi.
“Në zbatim të statutit të PS dhe normave tona të brendshme, vendosëm në bazë të propozimeve që vijnë nga Bashkia e Himarës, për kandidaturën e Vangjel Tavos si kandidat i PS-së në garën për kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë.”
Ndërsa presin të mësojnë edhe kandidatin kundërshtar, socialistët janë të përgatitur për një garë të qetë në këtë bashki, që kohët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes, për shkak të procesit hetimor ndaj Fredi Belerit.
“Figura e Vangjel Tavos vjen si një figurë e cila është një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine.”
Zgjedhjet e pjesshme në Himarë do të mbahen më 4 gusht. Presidenti Bajram Begaj dekretoi këtë datë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin Fredi Belerit, i dënuar me 2 vite burg me vendim të formës së prerë për shitblerje votash.
Kryesia e PS-së vendosi të shtyjë me një javë edhe Kongresin Zgjedhor. Ai do të mblidhet më 27 korrik dhe jo më 20 korrik siç ishte planifikuar.
Klan News