Lajme Arkiva 2003

Kriza e KQZ-së vazhdon të mbetet varur. Ka kaluar gati një muaj kur Këshilli i Lartë i drejtësisë votoi për Dëshira Subashin si anëtare e KQZ-së. Që prej kësaj kohe presidenti i republikës Alfred Moisiu vazhdon të kërkoj prej partive politike reflektim për respektimin e marrëveshjes.

Kodi Zgjedhor kaloi në Kuvend me votat e dy partive të mëdha. Të dy anët e monedhës e vlerësuan këtë kod si më të mirin, të lindur prej një marrëveshje bashkëpunimi, unike në historinë e pluralizmit shqiptar.

Pas pak kohe marrëveshja dhe ekuilibri u prish. Zonja Subashi gëzon në bazë të ligjit postin e saj në KQZ, ndërsa politika shqiptare për herë të 100 ka humbur moralin. Në sintoni me Moisiun për të rigjetur rrugën drejt marrëveshjes është komuniteti ndërkombëtar.

Zoti Cox, ka dhënë një mesazh të qartë në fjalën e tij përpara deputetëve shqiptar, të kësaj natyre janë raportet, vëzhgimet dhe rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR. Shumica në anën e saj kërkon ligjin. Është e vërtetë ajo ka zbatuar vetëm ligjin, nuk ka bërë asgjë jashtë tij, por ka thyer marrëveshjen, moralin.

Krizat më të mëdha ndërshqiptare kanë shkuar tej ligjit, por në bazë të kodit ballkanik, janë bazuar në moral. Këtë vullnet kërkon të imponojë Moisiu dhe partnerët. Në thelb nuk ka shumë rëndësi as Subashi dhe as kokëfortësia e zoit Ruçi për të mos lëshuar pe.

Për shqiptarët ka rëndësi që këto zgjedhje të jenë të besueshme sepse 12 tetori mund të jetë testi i fundit. Moisiu nuk po lodhet së thëni këtë gjë prej ditësh, ndërsa politika i ka të zënë me pambuk./tvklan.al