Lajme Arkiva 2003

Në Gjykatën e rrethit Tiranë ka vijuar procesi gjyqësor nisur pas padisë së ministrit Ben Blushi  kundër kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha për shpifje.

Avokati i Berishës nuk është paraqitur në procesin gjyqësor  pikërisht në seancën ku priteshin të dëgjoheshin sqarimet e tij në lidhje me padinë për dëmshpërblimin e kërkuar nga ministri Blushi.

Gjyqtarja e procesit Anila Capo ka vendosur zhvillimin e seancës duke e konsideruar të paarsyetuar mungesën e avokatit Neshat Fana.

Alban Çaushi avokati i Ministrit të Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit Ben Blushi ka kërkuar nga gjykata të administroj dhe një tjetër kasetë filmike në cilësinë e provës me qëllim argumentimin e dëmit moral të shkaktuar nga deklaratat e Berishës për Blushin.

Kaseta filmike përmban të njëjtin material të një konferencë të Berishës por kësaj radhe materiali është transmetimi i një televizioni tjetër shqiptar, deklaratat e kreut të Partisë Demokratike për abuzimet dhe favorizimet të familjes së ministrit gjatë tenderave të dikasterit të tij, janë konsideruar nga pala paditësi si shpifje me një dëm të rëndë moral për Blushin.

Për këtë avokati Çaushi ka kërkuar edhe një dëmshpërblim prej 10.000.000 Lekësh nga Berisha./tvklan.al