Lajme Arkiva 2003

Dosja “Pasaportat” e të pandehur zyrtarë të Ministrisë së Rendit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik ka vijuar me vendimin e një ish juristi të kësaj ministrie. Neritan Kariqi ka qenë gjatë kohës së zhvillimit të tenderit të pasaportave edhe anëtar i komisionit të këtij tenderi.

Dëshmitari i thirrur nga akuza deklaroi se në ofertat e paraqitura nga firmat pretendonte për prodhimin pasaportave shqiptare, ajo gjermane kishte të përfshirë edhe detyrime taksore ndryshe nga konkurrentët e saj. Kjo dëshmi ndryshon nga ajo e dëshmitarëve të thirrur më parë, të cilët kanë deklaruar se oferta e firmës gjermane nuk e ka pasur të përfshirë në fillim këtë detyrim.

Përfaqësuesit e akuzës kanë këmbëngulur se disa nga deklarimet e dëshmitarit para gjykatës nuk përputhen me ato të dhëna në prokurori. Ndërkohë nga pyetjet dhe deklarimet që ka bërë gjatë kësaj kohe i pandehuri Bujar Himçi ish zëvendës Ministri i Rendit  doli se dëshmitari Karriqi është pushuar nga puna në ministri pak kohë pas arrestimit të zyrtarëve e për këtë çështje.

Ish juristi ka qenë dëshmitari i vetëm  për seancën e radhës ndërsa të enjten e ardhshme do të japin deklarime edhe tre dëshmitarë të tjerë. Ndërkohë në listën e dëshmitarëve bën pjesë edhe Ministri i Rendit Luan Rama i cili ka kërkuar rinisjen e hetimeve për dosjen pasaportat./tvklan.al