Prokuroria e Tiranës vazhdon marrjen e dëshmive të personave që kanë dijeni mbi vdekjen e 17 – vjeçarit Ardit Gjoklaj në Landfillin e Sharrës.
Deponimet e personave të cilët janë arrestuar kanë kontradikta, pasi thëniet e tyre se nuk e njohin viktimën nuk përputhen me pamjet e kamerave filmike, si dhe dëshmitë e punëtorëve të tjerë të Landfillit.
Një punonjëse me incialet Z.B ka sqaruar para hetuesve se Arditi ka hyrë në Landfill sëbashku me të, në orën 3:30 të mëngjesit të së shtunës së kaluar për të punuar.
Ndërkohë, Dëfrim Hakrama, përgjegjës i turnit, sipas prokurorisë ka deklaruar se personi që u gjet i vdekur nuk ishte punëtor i tij. Ai nuk ka dhënë shpjegime nëse i mungonte ndonjë nga punëtorët që kishte në përgjegjësi, detyrë e cila i është ngarkuar me ligj.
Dyshuese për prokurorinë është dhe dëshmia e Edmond Kallarit, drejtues i eskavatorit që dyshohet se ka shtypur 17 – vjeçarin. Ai ka sqaruar se nga ora 19:00 e së premtes deri në orën 07:00 të mëngjesit të së shtunës, ka punuar në të njëjtin vend.
Por kjo dëshmi nuk përputhet me kamerat e sigurisë, që vërtetojnë se eskavatori, rreth orës 05:00 të mëngjesit ka lëvizur në zonën ku punonte Ardit Gjoklaj. Lëvizjen e eskavatorin e ka konfirmuar edhe roja i Landfillit.
Tv Klan