“Asnjë nuk është i paprekshëm”
Aktivitetet për vitin e Tiranës si kryeqytet europian i rinisë sollën në një bashkëbisedim kryebashkiakun Erion Veliaj dhe përfaqësues të universiteteve private. Kryetari i Bashkisë u tha atyre se reforma në arsim tregoi se askush s’është i paprekshëm, duke e sjellë këtë shembull si analogji me debatin që po ndodh me Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Me sa duket, destini i këtij vendi është që çdo javë të ketë nga një debat: një javë patëm çështjen e betoniereve, javën tjetër rindërtimin te “5 Maji” dhe nevojën e qytetit për t’u urbanizuar, pastaj për të ndërtuar Unazën e Madhe, e cila sjell zhvillim cilësor në zona si Bregu i Lumit, që njihen si periferi. Sot kemi një debat tjetër, për një reformë në sport. Përpara disa vitesh ishte tabu të filloje një betejë me “Kristalet” dhe “Vitrinat”, por ja ku jemi sot. Atëherë mendohej se këta ishin të paprekshëm”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj tha se beteja me Federatën e Futbollit është çështje e fatit të brezave të sportistëve, ashtu si arsimi.
“Beteja ku jam përfshirë si aksioner i Sport Klub Tiranës, por edhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës, si financuese e shumë terreneve sportive, bëhet mbi këtë bazë: Nëse do të ishte çështje investimesh, mund të bëhet prapë sepse një pemë që nuk mbin, e mbjell prapë, një pllakë që nuk zë, punë e madhe e ndërron prapë. Por, te sporti dhe arsimi bëhet fjalë për jetë njerëzish: Një brezi sportistësh apo studentësh nuk i thua dot ‘më vjen shumë keq, por brezi juaj u dogj për abuzime dhe tahmanë e dikujt, se donte të shtypte diploma për të fituar ca para”, tha Veliaj.
Për kryebashkiakun Veliaj, çështje të tilla janë punë që mund të bëhen vetëm një herë.
Tv Klan