Bashkia e Tiranës hap kampet verore për fëmijët e familjeve në nevojë, komuniteti rom apo egjiptian. Nga parku i Liqenit Artificial, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se këto kampe u vijnë në ndihmë edhe familjeve që ende nuk i kanë filluar pushimet verore.
“Një pjesë e qytetit ka shkuar me pushime, por ka shumë prindër që janë ende në punë ose ka familje që nuk i kanë të gjitha mundësitë për t’i filluar pushimet që në korrik, prandaj në zemër të Tiranës, te parku më i bukur që kemi, ku temperatura është më e ulët, po organizojmë, si çdo vit, kampin veror për fëmijë. Më kanë bërë shumë përshtypje super talentet që pashë këtu. Jam i sigurt se do të bëheni të gjithë të famshëm, sa në balet, sa në sport, sa me leximet dhe gjërat e mençura që po mësojnë. Por, mbi të gjitha, këtu i mësojmë fëmijët të rrinë me njëri-tjetrin, të krijojnë shoqëri të reja”.
Veliaj ftoi prindërit që të regjistrojnë fëmijët në kampet verore të bashkisë, si një mënyrë për ti ndihmuar ata të forcojnë aftësitë e tyre shoqërore dhe krijuese.
“I ftoj të gjithë prindërit që ndoshta janë ende në punë, që mbase nuk i kanë mundësitë, që t’i regjistrojnë fëmijët në kampet verore. Ne do të jemi këtu deri në fund të korrikut, edhe me qendrat sociale, edhe me qendrën TEN, edhe me agjencinë tonë të parqeve. Ky është stacioni ynë kryesor, por kemi edhe një stacion tjetër te Shkolla e Biçikletave”.
Duke u ndalur tek fëmijët, Veliaj tha se qyteti bëhet më i mirë kur bashkëpunohet dhe ndihmohet njëri-tjetri.
Tv Klan