Në vijim të vizitës së tij në Itali, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori sot pjesë në edicionin e tretë të Samitit Ndërkombëtar të Qyteteve me temë “Të Bashkuar në Diversitet”, të organizuar nga kryebashkiaku i Firences, Dario Nardella, dhe Kancelari i Akademisë së Shkencave Sociale të Vatikanit, Marcelo Sanchez Sorondo.
Në fjalën e mbajtur në sesionin kushtuar dialogut urban, ku morën pjesë krerë bashkish nga disa vende të Mesdheut, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi si të domosdoshme bashkëpunimin mes qyteteve në përballimin e sfidave rajonale apo më të mëdha se sa ato që mund të prekin një qytet të caktuar, siç mund të jenë politikat mjedisore dhe ndryshimet klimaterike, si dhe zhvillimi ekonomik. Ai veçoi bashkëpunimin që ekziston tashmë mes qytetit të Tiranës dhe Firences, sidomos sa i përket përdorimit të teknologjisë dhe mjeteve miqësore me mjedisin, në ndriçim apo transport.
“
Sfidat që po kalojnë të gjithë qytetet janë sfida të ngjashme, si në Tiranë, si në Athinë, si në Kajro apo në Barcelonë. Më vjen mirë që Tirana është avangardë në shumë prej nismave, duke filluar nga transporti elektrik, tek mënyra se si po ecim me korsitë e biçikletave. Sot kemi mbyllur një marrëveshje paraprake për të sjellë një flotë biçikletash në qytetin e Tiranës. Duke nisur nga fillimi i vitit tjetër do të vijnë disa mijëra biçikleta, pasi bashkia të ketë përfunduar rrjetin minimal dhe besoj për një qytet që është bekuar nga Perëndia me mbi 300 ditë diell dhe me një terren të sheshtë, është një koncept ideal për të transformuar mënyrën se si qarkullojmë në Tiranë, sidomos me një numër të konsiderueshëm të rinjsh dhe studentësh”,
tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai theksoi se Bashkia e Tiranës do të parashikojë në buxhetin e saj për vitin 2018 një fond të posaçëm që do të përdoret për flotën e biçikletave, por edhe për automjetet elektrike të transportit publik. “
Me buxhetin e vitit tjetër kemi planifikuar që të shtrojmë jo vetëm korsitë e biçikletave, por edhe blerjet e autobusëve dhe të flotës së biçikletave që do të vijnë në Tiranë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku njoftoi se shumë shpejt do të fillojnë konsultimet e buxhetit me banorët në të 24 njësitë, ndërsa u shpreh se ndër prioritetet e tij do të jenë zhvillimi i zonave periferike. “Pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë me një fokus në zonat periferike të Tiranës, zona e Astirit dhe Unazës së Re, zona e Freskut, zona e Komunës së Parisit dhe e Farkës, për t’u siguruar që integrojmë si pjesën e qytetit që është brenda unazës, ashtu edhe pjesën e qytetit jashtë unazës”
, u shpreh ai.
Gjithashtu, Veliaj bëri të ditur se në partneritet edhe me Bashkinë e Firences do të krijohet një kompani e posaçme që do të merret me ndriçimin e Tiranës me teknologjinë më të fundit, si dhe të vendosjes së një sistemi kamerash sigurie që do të rrisnin sigurinë në rrugë dhe kontrollojnë trafikun.
“Do të vazhdojmë me Bashkinë e Firences projektet konkrete. Jemi në prag të krijimit të një kompanie të përbashkët për ndriçimin publik LED të qytetit, duhet të vendosim edhe një rrjet kamerash për të shtuar sigurinë rrugore, sigurisht edhe për të përballuar fluksin e trafikut që vjen çdo ditë në Tiranë, edhe nga rrethet e tjera, si pasojë e faktit që Tirana ofron shërbime për të gjithë territorin e Republikës dhe për të gjithë qytetarët”,
tha ai.
Veliaj nënvizoi se për të siguruar një qëndrueshmëri më të madhe financiare dhe për rrjedhojë, edhe të investimeve dhe shërbimeve për qytetarët, Bashkia e Tiranës është duke vlerësuar nevojën për të patur një ligj të veçantë për kryeqytetin. “Do të jemi aktivë edhe në diskutimet që do të kemi për buxhetin, për t’u siguruar që Tirana më në fund stabilizohet nga ana buxhetore sa i përket shërbimeve që ofron, dhe shumë shpejt do t’i dorëzojmë Parlamentit një ligj të posaçëm për Tiranën; ashtu siç ka një ligj për Romën, ashtu do të duhet të ketë një ligj dhe për Tiranën kryeqytet, që u ofron shërbime më shumë qytetarëve se sa banorëve dhe rezidentëve që janë regjistruar aty”, deklaroi Veliaj.
Edicioni i tretë i Samitit Ndërkombëtar të Qyteteve “Të Bashkuar në Diversitet” është përqendruar në Dialogun në Mesdhe dhe kryebashkiakët po diskutojnë për çështjet që lidhen me zhvillimin ekonomik, ndryshimet klimatike dhe politikat mjedisore. Pjesë e këtij edicioni janë ftuar të bëhen pjesë edhe një numër i madh personalitetesh të tjera, si kryetarët e bashkive të Parisit, Madridit, Tunisit, Athinës, etje, si dhe ekonomistë, laureatë të Nobelit, përfaqësues të lartë të organizmave ndërkombëtare. Në fund të diskutimeve konferenca do të dalë edhe me një platformë përfundimtare që do t’i paraqitet Atit të Shenjtë, Papa Françeskut./tvklan.al