“Pengesat vijnë nga ata që nuk qullosën kurrë asgjë”
Ndërrimi i viteve pritet të gjejë në banesat e reja familjet që u preken nga tërmeti i 26 Nëntorit. Nga Kashari, ku pa nga afër punimet në një prej shtëpive që po rindërtohen, kryebashkiaku Veliaj tha se në 500 kantiere ndërtimi në kryeqytet puna po ecën me ritme të shpejta.
“Më vjen mirë që ende pa u mbushur viti, jemi gati me shtëpinë! Mezi pres që festat t’i kalosh shëndoshë me familjen dhe me çfarë të të dojë zemra, në shtëpinë e re. Sigurisht, ka pa fund punë për të bërë, mbaroi e jotja, do fillojë e vëllait dhe do vijojmë me këtë ritëm përditë, derisa të japim çelësin e fundit e të sigurohemi që misioni i ringritjes pas tërmetit të shkojë me sukses deri në fund, siç e ka porositur edhe kryeministri”.
Veliaj nuk la pa komentuar edhe akuzat e opozitës.
“Patjetër që ka pengesa nga ata që mundohen ta politizojnë gjithçka, nga ata që kur vetë e kishin në dorë nuk qullosën gjë, megjithatë u them kolegëve, ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara se puna flet më shumë se çdo përgjigje. Ne i kemi sytë te puna. Në fund, njerëzit do shohin kush është për punë dhe kush është për llafe e për të penguar njerëzit që punojnë”.
Kryebashkiaku Veliaj, gjatë vizitës në Kashar dhe Lagjen 14, zhvilloi një takim edhe me stafin e njësisë, të cilët i falenderoi për punën që po bëhet në zonën e Astirit.
Tv Klan