Investimet në infrastrukturën rrugore në zonën e Krrabës, përveç hovit ekonomik dhe zhvillimit të tregtisë, do t’i hapin rrugë edhe ndërtimit të shkollës së re. Teksa inspektoi fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës së Mesme të Bashkuar në Krrabë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Bashkia e Tiranës synon të ruajë të njëjtin standard, si për shkollat në qendër, ashtu edhe në periferinë e kryeqytetit.

“Synimi ynë ka qenë si të arrijmë të punojmë me të njëjtën cilësi si për shkollën “Kosova”, ashtu edhe për shkollën këtu në Krrabë, si për “Sami Frashërin”, ashtu edhe për shkollën në Vaqarr, si për “Partizanin”, ashtu edhe shkollën në Prush. Fakti që ia kemi mbërritur kësaj dite më bën krenat. I kemi mbaruar shkollat e Tiranës, tani jemi në punë e sipër për gjitha shkollat e periferisë, një pjesë të të cilave i kemi përfunduar. Kjo është një ditë e jashtëzakonshme për Krrabën”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se ndërtimi i kësaj shkolle do të jetë një kartolinë e jashtëzakonshme për Krrabën. Ai shtoi se shkollat e reja kanë standarde dhe kushte shumë më cilësore, sa i përket infrastrukturës, por edhe stafit arsimor. Për këtë arsye, Veliaj ftoi prindërit që të respektojnë ndarjet që ka bërë Bashkia sipas njësive administrative, dhe t’i çojnë fëmijët në shkollat pranë zonës së tyre të banimit.

“Edhe këtu mësuesit përzgjidhen nga portali. Shikoj se si periferia e Tiranës po bëhet e lakmueshme dhe se si shkollat që kemi bërë në Petrelë, në Ibë e Bërzhitë, po mbushen plot. Jam vërtet krenar që ia kemi mbërritur kësaj dite. Dua të ftoj qytetarët që janë në fazën e regjistrimeve, ju lutem të respektojmë ndarjet që ka bërë Bashkia, sipas njësisë administrative. Shkolla e re është edhe më e fortë, ka edhe më shumë hapësira, më shumë terrene sportive, ka edhe më shumë investime. Mania për t’i çuar tek shkollat e vjetra dhe të vijojë gjithë shkolla turni i parë, por vetëm dy klasa turni i dytë, vetëm prej kësaj tahmaje, është e pajustifikueshme”, u shpreh ai.

Për kreun e Bashkisë, aftësimi drejt punëve digjitale është fokusi ku duhet të orientohen të rinjtë e kryeqytetit. Për këtë arsye, ai ftoi të rinjtë të ndjekin kurset falas që Bashkia e Tiranës ofron tek qendra “Tumo”.

“Ftesa për të gjithë fëmijët, nga Krraba deri në Kashar, nga Ndroqi deri në Shëngjergj dhe Zall-Bastar, përfshirë gjithë lagjet e Tiranës, është të regjistrohen në këto kurse pas mësimit. Qendra Tumo te Piramida do t’i fillojë kurset në 15 shtator. Sot punët dixhitale po paguajnë më shumë. Do të doja që të njëjtat shanse që u jepen fëmijë në ish-Bllok, brenda Unazës dhe në qendër të Tiranës, t’u jepen edhe fëmijëve të Krrabës dhe gjithë periferisë”, përfundoi kreu i Bashkisë./tvklan.al