Fëmijëve të Tiranës u është shtuar edhe këndi i dhjetë i lodrave, i cili është konceptuar si një hapësirë argëtimi për të gjitha grupmoshat.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se projekte të ngjashme do të vijojnë në çdo njësi administrative. “
Jam shumë entuziast që hapim këndin e 10-të të lodrave. Mbaj mend se vjet, pasi përfundoi sherri te Liqeni, thashë jo vetëm që ai kënd lodrash do ishte sukses, por do bëjmë nga një të tillë në çdo lagje. Kishte shumë njerëz që thoshin pse i bëni te Liqeni dhe jo nëpër lagje? Përgjigja jonë ishte: Do t’i bëjmë edhe te Liqeni, edhe nëpër lagje
”, tha Veliaj.
Duke i konsideruar investime të tilla si një pasuri për të gjithë komunitetin, kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për mirëmbajtjen e tyre. “
Në një qytet me 1 milion banorë, ku 300 mijë janë fëmijë, si një familje që i ka fëmijët prioritet, po ashtu edhe një qytet, edhe një bashki, si një familje e madhe, duhet të ketë fëmijët prioritet. Dua të ftoj të gjithë banorët, gjyshërit, gjyshet, që ta ruajnë e ta mirëmbajnë. E kemi të pamundur që me kaq investime që po bëjmë, t’i vendosim nga një roje çdo investimi. Ama, nëse secili qytetar sillet si kujdestar, sillet si njeri i vëmendshëm, sepse ky kënd i shërben gjithë komunitetit, atëherë do të mund të kemi një jetë më të gjatë në këto investime
”, tha ai.
Veliaj bëri të ditur projektin ambicioz të Bashkisë së Tiranës për të ndërhyrë në çdo lagje në nivel kapilar për të rehabilituar infrastrukturën. “
Tani ka ardhur koha që të futemi nëpër lagje në nivel kapilar. Kështu që, propozimi ynë është që vitin e dytë të mandatit të fokusohemi në lagje, në sheshet brenda pallateve. Disa si te “Dhimitër Kamarda” e të tjera, i kemi filluar, disa rehabilitime po i bëjmë edhe në Shkozë për komunitetin rom, për komunitetin egjiptian, por tani ka ardhur koha të futemi në çdo rrëzë të lagjes, që të sigurohemi që kjo cilësi në rrugët kryesore të përkthehet edhe në të gjitha sheshpushimet e pallateve dhe hapësirat komunitare
”, tha ai.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë edhe në procesin e zgjedhjes së administratorëve të pallateve, të cilët do të lehtësojnë më tej zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit. “
Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë për të zgjedhur ata vetë administratorët e pallateve. Nëse kemi në çdo pallat nga një administrator, është shumë më e lehtë pastaj, që të bëjmë investime, që të dimë ku janë problematikat. Kur i grupojmë në nivel administratorësh, e kemi edhe më të lehtë të investojmë, por edhe t’i mirëmbajmë
”, tha Veliaj./tvklan.al