Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht punën përgatitore për zgjedhjet e 2025-ës. Drejtuesit Politikë të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, zhvilluan një takim me anëtarët socialistë të Njësisë 6, për të dhënë porositë e para.
“Të sigurohemi që të mblidhemi të gjithë, pavarësisht se nuk ishin te fitorja jonë e fundit me 60%, që të jemi 60% plus herën tjetër. Kjo është diferenca. Sot jam kaq i lumtur që, bashkë me Ogertën, përveshim mëngët për të filluar zyrtarisht përgatitjen për fitoren tonë të vitit 2025-ës”, tha Veliaj.
PS për mandatin tjetër ka si ambicie rritjen e pensioneve edhe pagave.
“Kjo iniciativë e kryeministrit, e qeverisë, e PS-së, për t’u siguruar që kjo rritje ekonomike i ndihmon të gjithë, përfitojnë të gjithë, i mbështet të gjithë, është arsyeja përse ne jemi në këtë betejë. Për pensionet, për rrogat, për investimet dhe për “Shqipërinë 2030-të”, shtoi Veliaj.
Këto zgjedhje, kryebashkiaku i cilësoi si “Lojëra Olimpike në Politikë”.
Tv Klan