Bashkia e Tiranës prezantoi projektin për rehabilitimin e lumit të Lanës, nga Pallati me Shigjeta te kryqëzimi me Rr. “Teodor Keko”, i cili shënon një kapitull të ri për transformimin e qytetit. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se projekti është vijim i punëve të mira të nisura dhe të kryera nga Edi Rama në vitet 2000-2011.
“Transformimi i lumit të Lanës nga administrata e Edi Ramës dhe Bashkisë së Tiranës në vitet 2000-2011 i referohet një epoke që lidhet me hapjen e një kapitulli të ri të qytetit. I cili vijoi me transformimin e Lanës në pjesën e lindore, nga materniteti i ri “Koço Gliozheni” deri te rrethrrotullimi i Shkozës. Kush ka parë transformimin aty, mjafton të hapë buletinet e imobiliareve për të kuptuar se vlera e pronës është rritur nga 70 deri në 250%. Ajo ishte një zonë, që konsiderohej si fundi i botës. Kurse sot është bërë jo vetëm pjesë e Tiranës qendrore, por është zhvilluar infrastruktura, bimësia, është kthyer në një linjë ekspres për autobusët dhe biçikletat. Kush jeton në Shkozë vjen për punë minutash në qendër”, tha Veliaj.
Kapitulli i tretë për lumin e Lanës nis me projektin që u prezantua sot. Veliaj shtoi se nga ky investim, shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit, përfitojnë të gjithë qytetarët, ndërsa 317 familjet që preken (edhe ato pa dokumente pronësie) do të përfitojnë fillimisht bonus qiraje dhe më pas nga një banesë të re falas. Apeli i tij për qytetarët është të mos përdoren nga politika, por të bashkëpunojnë me bashkinë.
“Jo vetëm këto familje do të jetojnë më mirë, por edhe familjet e tjera të qytetit do të kenë një mundësi të jashtëzakonshme. Për ata që janë pronarë legjitimë të pronave private buzë Lanës është një lajm i shkëlqyer sepse do të kenë mundësi ta zhvillojnë pronën e tyre. Ndaj, dua t’ju bëj thirrje qytetarëve: Mos u përdorni mish për top! Kush bashkëpunon i pari, do futet në shtëpi i pari. Kush shkon t’i vërë biberonin llasticave që humbasin me 60 mijë vota dhe nuk dinë ta kapërcejnë humbjen, atëherë sigurisht do futen të fundit. Në këtë kuptim “kush vjen i pari, shërbehet i pari”. Kush mendon që familjen e tij do ta vërë në dispozicion të një politike që na prodhoi Lanën siç e kemi sot, apo Lanën siç pastroi Edi Rama në 2000, apo realitetet urbane katastrofike siç ishin Kombinati dhe “5 Maji”, në zaptim total, le të vazhdojë, nuk e ndalojmë dot”, tha ai.
Për të informuar qytetarët qytetarët për zbatimin e këtij projekti dhe për të mësuar se çfarë përfitojnë familjet, si do të trajtohen shpronësimet, si do të kryhet vlerësimi i pronave etj., Bashkia e Tiranës ka hapur edhe një adresë emaili: [email protected]. “Ne kemi detyrë të ofrojmë një proces të drejtë, njerëzor, dhe një akomodim me bazë solidariteti, – jo detyrimi ligjor, por solidariteti, – për ata njerëz që kanë jetuar aty ndër vite”, sqaroi Veliaj.
/tvklan.al