Nga Asambleja e PS-së për Tiranën, drejtuesi politik i këtij qarku, Erion Veliaj komentoi protestën e opozitës, duke deklaruar se molotovi nuk e ndal punën për transformimin e metejshëm të kryeqytetit.
“Sot argëtohesh me 30 veta me molotov, kryesisht fëmijë që janë mëkat dhe tregues sesi një parti ka degraduar. Kujtoj se si PS-ja drejtonte betejat, kur e kishte të gjithë shtetin kundër. E drejta për t’u organizuar nuk na njihet vetëm ne, por është i lirë kushdo të protestojnë, të organizohet. Nuk vlerësohet më kush rreh, por kush punon, kush organizohet dhe kush fiton në finale”.
Sipas Veliajt, opozita sulmon sepse nuk e ka qëndrimin e PS ndaj drejtësisë, i cili është i njëjtë, si në vitin 2013 kur erdhën në pushtet.
“Ata shtetin e shohin për ta shqyer, ndërkohë që ne themi shteti ka disa struktura që bëjnë punë, ka disa struktura që kontrollojnë punën e atyre që i bëjnë këto punë dhe nëse ka një anomali është mëse normale që, si çdo organizëm, do duhet ta adresojë atë. Ata habiten që ne shkojmë në SPAK, ata habiten që ne duartrokasim drejtësinë.”
Veliaj u tregua i bindur për fitoren e zgjedhjeve në vitin 2025, për të cilën tha se ka nisur përgatitja për këtë betejë.
“Askush të mos ketë asnjë dyshim, ky nuk është një ushtrim politik, kjo nuk është një stërvitje për nxehje, por kjo është përgatitja për fitoren e Edi Ramës dhe PS-së në vitin 2025, siç i ka hije PS dhe siç i ka hije Qarkut të Tiranës, që do të jetë vendimtar se sa e fortë dhe sa bindëse do të jetë fitorja jonë.”
Veliaj u ndal edhe tek projektet për kryeqytetin për të cilën tha se nga Janari i vitit të ardhshëm transporti publik për pensionstët do të jetë falas.
Tv Klan