“Beteja me FSHF është beteja e të gjithëve”

Kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një takim me uniformat blu të qytetit, në kuadër të “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Në qendër të takimit ishte ndihma e policisë për realizimin e investimeve në qytet.

Erion Veliaj: I kemi qëndruar vendimit për ndalimin e betoniereve – si një vendim i përbashkët i Policisë së Shtetit, Policisë Rrugore, Bashkisë së Tiranës dhe Policisë Bashkiake sepse besojmë se i shërben 99% të popullsisë. Edhe tek “5 Maji” beteja mori një drejtim. Zonja në fjalë (Liza Marku) ka marrë 364 metra katrorë banesë. Bashkia dhe policia nuk mund të të detyrojë t’i marrësh me zor, por kontratën e aty e ka.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u ndal edhe tek debati me Federatën Shqiptare të Futbollit, për të cilën tha se kjo është beteja e të gjithëve.

“Unë kam hyrë në një betejë tjetër, e cila është edhe beteja juaj sepse më duket fyese që disa hargalisen në tribunë, kurse policët hanë gjithë shkopinjtë, gurët e shishet kokës. I keni parë skenat? Cili djalë apo vajzë polici ka shansin të luajë me kombëtaren dhe të paguajë shumat që kërkojnë këta? Asnjë! Kjo nuk është vetëm beteja ime! Kjo është beteja e të gjithëve”

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të jetë bashkëfinancuese me 100 kamera me rezolucion të lartë në hyrje-daljet kryesore të qytetit, duke vendosur kështu edhe filtra digjitalë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë në kryeqytet.

Tv Klan