Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë në Itali, ku u takua me kryetarin e Bashkisë së Veronës dhe atë të Viçencës. Duke marrë si shembull qytetet italiane, Veliaj tha se në kryeqytet do krijohen ishuj ekologjikë.
“Duam të ofrojmë një shërbim të ri, ku qytetarët të sjellin produkte që nuk mund të futen në kazanët e rregullt të mbetjeve. Duam të shtojmë gjithashtu edhe disa shërbime të tjera, se si mund të përdorim edhe ujin e Bovillës, por edhe tarracat e qytetit, për të prodhuar më shumë energji.”
Veliaj tha se po shihet mundësia që Tirana të bëhet pjesë e eksperiencës Fiera di Verona, zona më e madhe e panaireve.
“Kryeministri ynë dhe kryeministrja e Italisë e kanë nisur tashmë një bisedë dhe po shikojmë mundësinë sesi të gjejmë instrumentin ku Tirana të bëhet gjithashtu, pjesë e rrjetit të panaireve, të mësojmë ose të bëjmë sërish një partneritet publik-publik me panairet e Veronës dhe të Tiranës. Ne duam të përdorim këtë eksperiencë fantastike të Veronës me “Panarin e Verës”, për ta kthyer Tiranën edhe në qendrën e panaireve të Ballkanit.”
Dy homologët italianë u ndalën tek zgjerimi i bashkëpunimit me Tiranën.
Tv Klan