Mirësia vjen atëherë kur nuk e pret dhe në forma që as nuk ta merr mendja. Historia e Aurorës, e cila ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” e tregon më së miri këtë. Ajo jeton prej vitesh në Athinë ku është shpërngulur edhe vëllai i saj.
Në vitin 2021, ky i fundit vendos të kthehet në Shqipëri por të nesërmen Aurora dhe familjarët mësojnë një lajm të frikshëm. Vëllai, asokohe 47 vjeç kishte pësuar një hemorragji cerebrale dhe kishte rënë në koma. Ai ndodhej në Tiranë në Spitalin e Traumës dhe të gjithë gjenin mënyra që të koordinoheshin me njëri-tjetrin për të ndenjur pranë.
Kur erdhi radha e saj, tregon Aurora për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ajo nuk kishte shtëpi në Tiranë që të mundte edhe të gatuante për vëllain. Punëmarrësja e saj në Athinë i kishte folur se veç saj, me të punonte edhe një shqiptare tjetër, Mira, e cila ndodhej në Tiranë. Mira do të ishte personi që do ta priste Aurorën në Tiranë dhe do t’i ofronte ndihmë të pakushtëzuar në momentin e vështirë ku ajo gjendej.
Aurora: Sa kam arritur në Shqipëri, në Tiranë, këtu në spital, ka ardhur direkt zonja më ka takuar atje në spital.
Ardit Gjebrea: Mira?
Aurora: Mira.
Ardit Gjebrea: Erdhi direkt në spital.
Aurora: Po.
Ardit Gjebrea: Pa gjendjen e vëllait.
Aurora: E pa edhe gjendjen e vëllait si ishte.
Ardit Gjebrea: Të pa edhe ty.
Aurora: Më pa, u takuam njëra me tjetrën. “Ti në shtëpinë time do të jesh si në shtëpinë tënde”, tha. më dha çelësat që ditën e parë kur e takova.
Ardit Gjebrea: Pra të dha çelësat e shtëpisë ku jetonte ajo apo të një shtëpie tjetër?
Aurora: Jo, aty ku jetonte ajo. Ajo jetonte me gocën dhe thotë për të gatuar, për të larë,për të shpëlarë, të gjitha do t’i kesh gati këtu.
Ardit Gjebrea: Një muaj zgjati e gjithë historia.
Aurora: Një muaj zgjati sa ndenja unë aty, përditë, çdo mëngjes e bënte ajo. Ngrihej në mëngjes, ngrihej e para, më bënte kafenë, më bënte mëngjesin që “të shkosh në spital’ thoshte, “të jesh vajzë e fortë”. Merrja mëngjesin t’ia çoja vëllait, shkoja merrja drekën, merrja rrobat, i ngrija.
Ardit Gjebrea: Më fal, ajo gatuante edhe për vëllain tënd?
Aurora: Po.
Ardit Gjebrea: Gatuante për ty edhe për vëllain, shkoje e merrje drekën e bënte gati Mira dhe ti ia çoje vëllait?
Aurora: Po, po. Thashë do marr një dhomë afër spitalit dhe i thashë do iki nga ti. Ajo s’më linte, më donte mua dhe thoshte “nuk do ikësh deri kur të mbarojë”.
Ardit Gjebrea: Derisa të dalë vëllai nga spitali. Ka ardhur ndonjëherë në spital, e ka parë vëllain?
Aurora: Përditë vinte./tvklan.al