Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut edhe pse i rezervuar ka komentuar në mënyrën e tij vendimin e gjykatës kushtetuese për të rrëzuar marrëveshjen për kufijtë detare Shqipëri-Greqi.

Sipas Vangjel Dules ky vendim i kushtetueses mund të dëmtoj imazhin e vendit, por dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes dy shteteve.

Vangjel Dule: “Ne e konsiderojmë një autogol, ishte një goditje në imazhin e vendit, në kredibilitetin e negocimit të vendit tonë në shumë aspekte. Është një precedent i cili nuk ishte i nevojshëm. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me ata individë me ato forca politike që duan një Shqipëri fobike, që kërkojnë një Shqipëri pa besim në energjitë dhe kapacitetet e veta dhe që në mënyrë të vullnetshme apo të pavullnetshme ngrohin vezët e gjarprit më të rrezikshëm të epokës sonë që është ai i një nacionalizimi të verbër.”

Në një konferencë për shtyp, Dule ka përshëndetur dhe ravijëzimin e dialogut politik mes palëve për zgjidhjen e situatës politike. Sipas Dules tryeza e presidentit do të bëjë të mundur arritjen e konsensusit të munguar pas 28 qershorit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka