Sinoptikanët: Temperaturat do të ulen ndjeshëm
Dëbora që nisi mbrëmjen e së dielës i solli një mëngjes të bardhë qytetit të Kukësit. Qarkullimi i njerëzve dhe mjeteve nuk pati probleme.
Trokitja e parë e dimrit do të ndjehet edhe më shumë në ditën e parë të dhjetorit, për shkak të uljes së temperaturave.
“Dita e parë e dimrit dhe dita e parë e dhjetorit do të nisë me temperatura shumë të ulëta pasi do të ketë ulje të tyre në vlera -5 ose -6 gradë Celsius në zonat verilindore si Kukësi, Hasi, Peshkopia”.
Nga e mërkura deri në fundjavë temperaturat do të vijojnë të rriten gradualisht, por kjo luhatje e vlerave do të riktheje reshjet në të gjithë vendin.
“Nga e mërkura deri në fundjavë do të kemi rritje graduale të vlerave të mëngjesit. Mesdita mbetet rreth vlerës 15, 16 gradë Celsius. Reshjet do të jenë në formë shiu për pjesën më të madhe të territorit dhe vetëm në zonat e thella reshje dëbore. Më të konsiderueshme reshjet do të jenë gjatë ditës së enjte dhe gjatë ditës së diel”.
Sipas sinoptikanëve e lartë do të jetë edhe shpejtësia e erës. “Kryesisht në det të hapur ku pritet që shpejtësia të jetë 70 apo 75km/orë duke sjell një det të trazuar dhe problematika në trafikun detar”.
Megjithatë sinoptikanët thonë se java e parë e Dhjetorit nuk do të jetë në vlerat tipike të muajit.
Tv Klan