Donika, nëna e Fladorentit, ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” një rrëfim të veçantë për të birin e saj. Ajo tregoi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan sesi në moshë të vogël, djali kaloi temperaturë të lartë çka shkaktoi probleme në zhvillimin e tij.
Familja është përballur me shumë sfida, por Fladorentit s’i ka munguar kurrë dashuria, ngrohtësia dhe dëshira për të jetuar e ëndërruar me gjithë fuqinë që ka. Donika tregoi sesi i biri ëndërron të martohet, të bëhet aktor, të jetë pjesë e televizionit e madje ka edhe një listë me të ftuar VIP për në dasmën e tij.
Nëna ka vendosur t’ia bëjë të birit sa më të veçantë këtë 30-vjetor duke ia festuar në shtëpinë e madhe të programit “E Diela Shqiptare”. Urimi i parë që e pret Fladorentin në ditën speciale vjen prej Donikës.
Donika: Fladorent! Reni ose Flori, emrat që i thërrasim shkurt, të solla këtu sidomos në këtë ditë që ti ke 30-vjetorin se i pëlqen shumë ftesat madhështore dhe të solla në këtë studio kaq madhështore që ti të kesh një kujtim në gjithë jetën tënde dhe uroj të bëhesh dhe 100, të jesh i suksesshëm, i dashur, ashtu sikurse ti ke qenë deri më sot. Bashkë me babin se edhe babi e do një urim, pa përkrahjen e tij, vetëm unë nuk do t’ia dilja dot kurrë! Asnjëherë mos thuaj që jam vetëm, neve na ke pasur, do të na kesh gjithmonë pranë dhe të gjithë njerëzit që ti do, që i përmend çdo ditë. Do të jemi gjithmonë në hapat e tu, sado të vështira të jenë, por besoj se i kemi kaluar vështirësitë, na presin ditë më të bukura. Edhe njëher të uroj suksese në të gjithë jetën tënde. Mami të do fort!
Gjebrea e njofton Fladorentin se do të ketë një hapësirë publicitare. Në të vërtetë, ështënjë surprizë e përgatitur për të që është kamufluar si publicitet. Donika tregoi se Fladorenti e njeh menjëherë zërin e Albert Dumanit, drejtorit të programacionit të Tv Klan dhe e konsideron “shokun e tij”. Fillimisht, transmetohet një klip zanor sikur është promoja e serialit “Osmani” që ai preferon aq shumë dhe më pas, një urim nga Albert Dumani për Fladorentin.
Albert Dumani: Kush ka ditëlindjen sot? Kush është shoku i të gjithëve? Ai ka pasion televizionin, prandaj në emër të gjithë Televizionit Klan, vjen një urim nga thellësia e zemrës për Fladorentin. Një ditëlindje shumë e veçantë, premierë absolute vetëm në “Ka Një Mesazh Për Ty”! Edhe 100!
Një nga këngët më të preferuara të Fladorentit është “Dasma ime” nga Era Rusi dhe Ylli Baka. Këngëtarja e surprizon me një video duke kënduar si edhe me një urim special.
Era Rusi: I dashur Flori, po të uroj unë, Era Rusi. Gëzuar këtë 30-vjetor! Qofsh gjithmonë i lumtur! Të përqafoj!
Nuk mund të mungonin as urimet nga disa prej aktorëve më të preferuar të Fladorentit. Jul Deda, Neritan Liçaj dhe Arben Derhemi u shprehën me fjalët më të bukura për të.
Jul Deda: Fladorent, duke të uruar të bëhesh 100 vjeç, t’u realizofshin të gjitha dëshirat, të gjitha ëndrrat dhe të falenderoj nga zemra! Je një suportues imi dhe tani e tutje do të jem edhe unë suportuesi yt në çdo gjë që do të bësh në jetë.
Neritan Liçaj: Fladorent, jam Neritan Liçaj. Të uroj gëzuar ditëlindjen. Shpresoj moss të më mbash mëri që vrava Florin te ‘Njerëz dhe Fate’ pasi ti je pjesë e aktrimit vetë.
Arben Derhemi: Flori, ashtu siç do të të thërrasin, uroj që ky mesazh të të gjejë mirë. Mos ki merak për atë personazhin që ishte vrarë te filmi sepse këtë radhë, në filmin e radhës, ne ia marrim hakun, mirë? Të lindësh ndryshe, nuk është në dorën tonë, por ta jetosh jetën ashtu siç e jeton ti, me gëzim, me dashuri, me dëshirën për të luajtur ndonjë ditë ndoshta edhe në filmat që unë do të kem mundësi që të të ofroj, është gjëja më e bukur në jetë.
Albana Nanaj, autorja e “Check In” gjithashtu ka një urim dhe një premtim për një nga adhuruesit më të mëdhenj të programit të udhëtimeve.
Albana Nanaj: E di që je një adhurues i programit ‘Check In’ dhe të falenderoj për këtë. Në udhëtimin tim të radhës që janë Himalajet, pika më e lartë e botës, do ta ngre një dolli për ty. Gëzuar!
Olsi Bylyku s’e kurseu aspak humorin në urimin e tij, ndërsa pati edhe disa fjalë nga Erik Lloshi.
Olsi Bylyku: Këtë radhë Fladorent, shpëtove mirë vetëm me këtë video që mbushe 30 vjeç, por kur të mbushësh 31, nuk ke shans të shpëtosh pa na dhënë ndonjë drekë. Shihemi kur të bësh 31. Të përqafoj fort!
Erik Lloshi: Përshëndetje i dashur Fladorent! Unë të uroj gjithë të mirat e kësaj bote, ti u bëfsh edhe 100 vjeç, Zoti të dhëntë jetë dhe shëndet kudo që ti dëshiron!
Fladorenti dëshiron që kostumi i tij i dasmës të jetë nga Joni Peçi dhe po kursen para për ta blerë. Stilisti i njohur veç urimit, ka gati edhe dhuratën për të.
Joni Peçi: Fladorent, përshëndetje, si të kam? Ato lekët që ke ruajtur për kostumin, merri dhe shpenzoji për qejfin tënd sepse kostumin për dasmën e ke dhuratë nga unë. Gëzuar 30-vjetorin dhe gjithë lumturinë e kësaj bote vetëm për ty!/tvklan.al