Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të mërkurën se të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave janë përmbushur dhe se në rast se Bashkimi Evropian nuk i liberalizon vizat për kosovarët, atëherë kjo do të ishte “racizëm i skajshëm”.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Veseli tha se nuk do të ndalet së lobuari për liberalizimin e vizave dhe se në të njëjtën kohë do të jetë edhe më i zëshëm në të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur pa viza në Evropë.
“Shikoni krahasimin me vendet e Ballkanit Perendimor, Kosova qëndron shumë më mirë qoftë në aspektin e respektimit të shtetit ligjor apo në atë ekonomik. Nuk duhet të lejohet askush të na privojë nga e drejta që na takon. Qëndrim i imi politik është ky: kjo është racizëm, racizëm i skajshëm
”, tha Veseli.
Këshilli i Bashkimit Evropian pritet që në dhjetor të vendosë për ose kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.
Disa shtete kanë shprehur skepticizëm nëse Kosovës duhet ti ofrohej liberalizimi i vizave.
Këtë e konfirmoi të martën gjatë vizitës në Prishtinë edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz, vendi i të cilit mban kryesimin aktual të Bashkimit Evropian.
Ai tha se ende ekziston një skepticizëm te vendet anëtare lidhur me procesin e liberalizimit të vizave./REL