Lajme Arkiva 2003

Vështirësohen bisedimet për aleancën zgjedhore mes socialistëve dhe socialdemokratëve. Aleatët e vjetër duket se janë rikthyer në kohën e ftohjes së marrëdhënieve dhe entuziazmi i mbrëmshëm ka rënë. Kryesocialisti Fatos Nano qëndroi vetëm 40 minuta në takim me kreun socialdemokrat Skënder Gjinushi, madje duke lënë edhe disa takime të tjera. Nano dhe Gjinushi pranuan se nuk ka rezultate të reja.

Fatos Nano: Asnjë gjë e re.

Skënder Gjinushi: Nuk ka ndonjë gjë të veçantë të re. Çdo bashkëpunim ka nevojë për kritere të qarta dhe duhet të jetë i tillë që të ketë efektivitetin e vet. Në negocimet e mëparshme janë vendosur disa kritere mesa duket jo shumë të qarta kështu që për të konkretizuar një bashkëpunim sa më të plotë është nevoja të negociohet edhe ca.

Gjinushi pranon megjithatë se marrëveshjet arrihen duke u bazuar në përqindjet e forcave politike por Gjinushi shton se rikthimi i besimit te Nano është pjesë e mospërsëritjes së gabimeve.

Skënder Gjinushi: Tani ne e kemi thënë atë që kemi pasur në momentet e duhura për zgjedhjet e mëparshme, që taktikat e gabuara kanë bërë që rezultatet të ishin më minimale nga e mundshmja. Gjithmonë ka një filozofi bashkëpunimi sepse janë 380 njësi. Ne jemi 1 me 6 në peshë me Partinë Socialiste.

Sipas kreut socialdemokrat qëllimi kryesor është konkurrenca sa më e fortë me të djathtën./tvklan.al