Kreshnik Farruku, i njohur ndryshe si Kreshnik Budlla është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit mbrëmjen e së hënës. Ai ka qenë i shoqëruar me të vëllain e tij, Erneo Farruku që gjithashtu ishte në kërkim.
Tv Klan ka siguruar foton e të shumërkuarit, Kreshnik Farruku ku siç mund të vihet re, ai ka pësuar ndryshime të shumta në pamje.
I cilësuar si kreu i një grupi kriminal me aktivitet në trafikun ndërkombëtar të drogës, Kreshnik Farruku dhe i vëllai i tij Erneo ishin shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.
Të dy ata kanë dalë në gjykatë paraditen e kësaj të marte, ku togat e zeza i kanë caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” deri në përfundim të procesit të ekstradimit drejt vendit fqinj.
Mbi dyshimet për aktivitetin e paligjshëm të Kreshnik dhe Erneo Farrukut, SPAK vuri në sekuestro disa prona në emër të tyre, pasuri këto që kaluan në favor të shtetit në Dhjetor të 2024 me vendim të GJKKO.
Konfiskimi i tyre erdhi pas dyshimeve se janë përfituar nga aktivitete kriminale, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Tv Klan