Myrto Uzuni është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm te Granada në Spanjë, pjesë e të cilëve është nga janari i vitit 2022.
Beratasi është përshtatur shumë mirë dhe këtë e konfirmojnë 40 golat e shënuar me fanellën e skuadrës spanjolle.
Shqiptari ka shënuar emrin e tij në mesin e legjendave të Granadës, por synimi është të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e klubit.
Rekordi mbahet nga Youssef El Arabi më 44 gola të shënuar dhe Uzuni është vetëm katër gola larg.
Në lidhje me këtë, ka folur edhe vetë lojtari shqiptar, në një intervistë të dhënë për hungarezen “Fradi”.
“Ndihem shumë mirë këtu në Granada. Qyteti, tifozët dhe ekipi janë të shkëlqyer. Fatmirësisht loja po më shkon mirë. Kam shënuar 40 gola deri më tani, kështu që jam 4 gola larg të qenurit lojtari më i suksesshëm i klubit. Jam pranë të përmendurit mes legjendave të klubit. Nuk është ekzagjerim të thuash se tifozët më mbajnë në pëllëmbë të dorës”, deklaroi Myrto Uzuni.
Në sezonin aktual, shqiptari numëron 5 gola të shënuar në La Liga 2, ndërsa ka luajtur në 10 ndeshje. /tvklan.al