Një avion i vogël luftarak u rrëzua gjatë një shfaqjeje ajrore, duke shpërthyer përpara mijëra personave. Pamjet e kapura në vendngjarje tregojnë flakë e tym që del nga vendi ku ra avioni.
Mikoyan-Gurevich MiG-21 u rrëzua rreth orës 13:30 të së shtunës, rreth 10 kilometra në veri të bazës ajrore Fetesti, në Calarasi të Rumanisë.
Në aksident fatkeqësisht mbeti i vdekur piloti, 36-vjeçari Florin Rotaru.
Dëshmitarë në vendngjarje thanë për mediat lokale se piloti mund të ketë zgjedhur që ta drejtonte avionin në fushën aty pranë, si një mënyrë për të shmangur që të godiste turmën. Sipas Reuters, në këtë shfaqje ushtarake ishin prezentë rreth 4 mijë persona.
Autoritetet rumune thanë se të gjithë avionët e Forcave Ajrore janë në gjendje shumë të mirë pune dhe se është ende shumë herët për të spekuluar rreth shkakut të aksidentit. Megjithatë, mediat atje raportuan se që prej vitit 1994 janë rrëzuar të paktën 24 avionë MiG.
Shkaku i aksidentit momentalisht është duke u hetuar.
Mikoyan-Gurevich MiG-21 Lancer është një avion luftarak supersonik dhe interceptues, i krijuar në epokën e Bashkimit Sovjetik nga Byroja e Dizajnit Mikoyan-Gurevich.
/tvklan.al