Mund të mos bierë në sy për shkak të asfaltit të ri, por ky segment rrugor është i rrezikshëm. Vjedhja e barrierave metalike po e kthen investimin në telash për frekuentuesit e kësaj rruge. Ajo lidh disa fshatra të zonës bregetare të Semanit me njëri-tjetrin.

Barrierrat anësore po zhduken nën hundën e policisë dhe përpara syve të banorëve. Këtyre të fundit u mbetet vetëm të kenë kujdes, por nuk e kursejnë ironinë.

Duke qenë rrugë rurale nuk pretendohet të ketë ndriçim. Të dy anët e këtij segmenti shoqërohen me kanale të gjerë, pjesë e sistemit kullues të zonës. Asfaltimi lejon udhëtimin me shpejtësi, por kjo i bën udhëtarët të pambrojtur në raste aksidentesh.

Ky segment prej 5 kilometra është pjesë e rrugës Fier-Hamil-Seman gjithsej 16 kilometra. Ai frekuentohet kryesisht nga banorët e zonës, por edhe nga udhëtarë që duan të shmangin rrugën kresore të rrënuar Fier-Seman.

Investimi u krye nga TAP, si kontribut i projektit të gazësjellësit për komunitetin. Bashkë me asfaltimin u realizua sinjaistika dhe barrierat e sigurisë, por këto të fundit po vidhen dhe nuk dihet se ku përfundojnë. Policia është njoftuar nga vetë investitori për situatën, por nuk ka nisur asnjë hetim për gjetur autorët.

Tv Klan