Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një të ri, i cili po kryente vjedhje në objektet e kultit dhe në lokale në Koplik, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kopliku”.
Si rezultat i operacionit të mirëorganizuar u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. F., 21 vjeç, banues në fshatin Koplik i Sipërm.
Ky shtetas gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Koplikut, kishte vjedhur në Kishën Katolike sende që përdoren për kryerjen e meshave.
Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Gruemirë Çezme, kishte vjedhur në lokalin në pronësi të shtetasit G. P., si dhe në fshatin Koplik i Sipërm kishte vjedhur xhaminë e fshatit ku kishte vjedhur një sasi vlere monetare rreth 10.000 lekë.
Pas njoftimit të marrë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Kopliku”, ku falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, është bërë e munduar kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasit E. F., të cilit gjatë momentit të arrestimit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe sendet e vjedhura në këto tre objekte.
Gjithashtu nga hetimet e kryera deri në këto momente rezulton se ky shtetas është autor edhe i disa ngjarjeve të ndodhura në fshatin Koplik i Sipërm konkretisht:
Më datë 03.01.2020, në fshatin Koplik i Sipërm, ka vjedhur me thyerje qendrën shëndetësore të këtij fshati.
Më datë 12.01.2020, në fshatin Koplik i Sipërm, ka vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit R. N.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdon puna për zbulimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jetë i implikuar ky shtetas.