Shndërrimi i një grope në qendër të kryeqytetit në një lulishte, vazhdon të përfshijë në polemika bashkinë e Tiranës dhe mazhorancën qeverisëse. Një reagim pas një deklarate të ish- nënkryetarit të bashkisë Eduart Shalsi, përfaqësuesi i këshilltarëve demokrat në këshillin bashkiak të Tiranës Ferdinand Poni, e quajti të turpshëm reagimin e policisë bashkiake, duke sqaruar se bëhej fjalë për një truall publik mbi të cilin nuk është dhënë ndonjë leje ndërtimi.
Ferdinand Poni: “Sot në fakt është dita e tretë që asistojmë në një shfaqje të turpshme dhe të dëmshme, të interesave abuzive te dyshimta të bashkisë se Tiranës dhe e kanë kthyer atë në shërbim të interesave të grupeve të ndryshme të ndërtimit, që nuk ndalen para asgjëje, as dhe nga fakti që nuk e kanë pronësinë mbi tokën. Toka është pronë publike, pronë shtetërore. As nga fakti që në mënyrë të paturpshme thuhet se aty ka leje ndërtimi, ku aty asnjëherë nuk ka pasur një të tillë. Policia bashkiake e Tiranës dhe inspektorati ndërtimor i saj, janë as më shumë dhe as më pak veçse vegla qorre dhe të bindura të interesave korruptive abuzive dhe kriminale”.
Por pavarësisht sqarimeve përmes dokumenteve dhe nga ministri i Transportit Olldashi, ish-nënkryetari i bashkisë akuzoi qeverinë, se po ndërhyn në kompetencat e bashkisë.
Eduart Shalsi: “Ky demonstrim i paligjshëm force, tregon kryeministrin Berisha, i cili i është turrur pronave publike dhe private me një babëzi të pa parë. Kjo dhunë tregon fytyrën e vërtetë të Sali Berishës, të këtij punisti që tashmë kërkon të shndërrohet në latifondist, duke vjedhur pronat e popullit”.
Në kundërpërgjigje z.Pone akuzoi bashkinë e Tiranës për korrupsion dhe klientelizëm.
Ferdinand Poni: “Deputeti apo gjysmë deputeti Shalsi, që nuk e ka harruar zakonin e vjetër, që në fakt nuk ngjan as më shumë dhe as më pak, një polici bashkiak. Në rolin e tij gjysmagjel, që vënë mbi gjithçka interesat e ulëta, të ndyra dhe abuzive të grupit, e personave që qëndrojnë pas tij. Asgjë s’mund t’i kthejë ekuilibrin mendor Ramës. Asgjë s’mund ta shpëtojë atë nga përgjegjësia shumë e madhe e thyerjes në mënyrë të përsëritur, abuzive dhe kriminale të ligjit”.
Konflikti nisi tre ditë më parë kur policë ndërtimor dhe bashkiak të Tiranës u përpoqën të ndalojnë mbushjen e gropës në kryqëzimin e rrugës së Durrësit dhe atë të Kavajës, për ta shndërruar atë në një lulishte./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro