Pas shumë zvarritjesh nga ana e bashkisë së Tiranës më në fund plani rregullues i kryeqytetit do të prezantohet përpara këshillit bashkiak. Plani urbanistik  do të jetë vendimi më rëndësishëm i të gjitha kohërave që ky këshill do të marrë.

Sokol Dervishi: “Nisur nga kjo pikëpamje është një nga elemtet më të rëndësishëm që do të përcaktoj zhvillimet qoftë urbanistike, qoftë sociale të qytetit të Tiranës minimalisht në 2-3 dekadat që do të vijnë dhe prandaj është një nga vendimmarrjet më të rëndësishme që do të marrë këshilli bashkiak si një nga hallkat e rëndësishme që ka përcaktuar ligji për miratimin e këtij plani pasi ai tashmë ka kaluar në KRRT-n e bashkisë Tiranës, më pas do t’i përcillet instancave më të larta vendimmarrëse sikurse është dhe KRRTSH që do të japi fjalën e fundit”.

Prej shumë kohësh ky plan ka shkaktuar debate dhe akuza të forta mes PD-së dhe Bashkisë së Tiranës. Mazhoranca e ka akuzuar Ramën se po e mban peng këtë plan, për interesa personale. Debatet pritet të jenë të forta edhe në mbledhjen e këshillit bashkiak, ku për herë të parë pas zgjedhjeve vendore të 2007-ës, PS nuk gëzon më mazhorancen, si pasojë e koalicionit mes PD-së dhe LSI-së.

Sokol Dervishi: “Nuk do të jetë një diskutim i thjeshtë besoj unë. Do të jetë një diskutim që do të haj kohën e tij të nevojshme, do të marrë kohën e nevojshme. E rëndësishëm është që debati të jetë sa më konstruktiv dhe sa më transparent dhe sa më efikas në konceptin e një përgjigje pozitive që ne duhet t’i japim qytetit dhe qytetarëve, ku padyshim dhe qytetarët duhet të jenë të përfshirë në këtë debat dhe ne do t’i kemi parasysh dhe sensibilitet e tyre, shqetësimet e tyre në momentin e diskutimit të planit”.

Të mërkurën zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak pas zgjedhjeve të 28 qershorit./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi