Rruga Durrës-Kukës ka marrë prej kohësh jo vetëm vëmendjen e medias dhe politikës, por edhe banorëve të zonës, apo turistëve nga Kosova. Në tunelin e Kalimashit ku është përqendruar volumi më i madh i punimeve janë punuar dhjetëra banorë të zonës. Të cilët e vlerësojnë maksimalisht këtë projekt që do të lidhë Kosovën dhe Kukësin me pjesën tjetër të vendit.
“Zona verilindore në përgjithësi dhe Kosova në veçanti që e ka pritur me dekada, normalisht është një ëndërr e shqiptarëve dhe kuksianëve që normalisht një ditë do ta prekim.”
Përfundimi i tunelit të Kalimashit është shtyrë për në mars të vitit 2010. Ndërkohë që ka përfunduar mbi 52% e volumit të përgjithshëm të gërmimeve.
Vëmendje e madhe po u kushtohet montimit të 7 urave në segmentin Kukës-Morinë. Kompania sipërmarrëse ka rritur intensitetin e punës për të shfrytëzuar edhe motin e mirë . Specialistët thonë se procesi i montimit të trarëve pritet të përfundojë brenda 3 muajve. Ndërsa shtrimi i tyre me beton dhe proceset e tjera gjatë periudhës në vijim.
Ndërkaq në trasenë e rrugës po punohet në 4 korsi. Përsa i përket procesit të shpronësimeve ai është në fazën e fundit të tij në fshatrat Morinë dhe Bardhoc./tvklan.al