Gazetari: “Parlamenti sapo ka miratuar buxhetin shtesë prej rreth 270 milion dollarësh. Cili është komenti i Fondit Monetar për këtë buxhet?”

Ann-Margaret Westin: “Ky buxhet është reflektimi i diskutimeve të shumta që kemi pasur këto 6 muaj me qeverinë. Ne kemi rënë dakord që të ulim deficitin buxhetor në nivelet 5.2 % të prodhimit të brendshëm bruto nga 7.9 % që ishte miratuar në fillim. Arsyeja e gjithë kësaj është se gjendemi në një ambient me presione inflacioniste të importuara nga jashtë, për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe karburantit prandaj nuk duhen shtuar impulse fiskale të cilat ndikojnë te inflacioni. Ne ramë dakord për të mos e rritur nivelin e fondit të pagave, duke shmangur presionet inflacioniste që mund të pasonin. Brenda fondit në dispozicion për pagat vëmendje kryesore do t’i kushtohet shtresave më të ardhurat më të ulëta që janë edhe më të prekurat nga rritja e çmimeve, si dhe për sektorët prioritar si shëndetësia dhe arsimi. Ndërsa për pjesën më të madhe të administratës rritja e pagave kompenson vetëm inflacionin. Një tjertër element i këtij buxheti shtesë është se pasqyron performancën shumë të mirë në mbledhjen e të ardhurave. Kjo vjen si rezultat jo vetëm i përmirësimit në administrimin e tatimeve, por gjithashtu edhe si rezultat i politikave të reja tatimore për shembull e ashtuquajtura taksa e sheshtë. Pra niveli 10% për tatimin mbi fitimin për korporatën dhe për të ardhurat personale. Unë besoj se ulja e nivelit në 10% për tatimin e fitimit për korporatat ka sjellë shumë më tepër kompani në sektorin formal të ekonomisë.”

Gazetari: “A garanton ky buxhet ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend?”

Ann-Margaret Westin: “Pa dyshim që stabiliteti makro dhe ruajtja e inflacionit janë qëllimet tona parësore. Për këtë arsye ne insistuam për deficitin e 5.2 % të prodhimit të brendshëm bruto. Vitin e kaluar ky deficit ishte më i ulët 3.9 %, po për shkak të projektit të madh në rrugën Durrës-Kukës e kemi rritur këtë nivel natyrisht, kemi vendosur kufirin prej 5.2%. Gjithsesi rritja e nivelit të deficitit nuk do të shkaktojë impulse negative  në ekonomi, pas për këtë projekt shumica e materialeve importohen dhe ka shumë punëtorë të huaj që paguhen. Pra shpenzimet për ndërtimin e kësaj rruge nuk nxisin rritjen e kërkesës, kështu që nuk mbart presione inflacioniste për ekonominë shqiptare. Sigurisht që buxheti duhet të ruajë nivelin e inflacionit, por në fund të fundit kjo është detyrë e BSH e cila  në fakt është treguar e kujdesshme nëpërmjet rritjes disa herë të normave të interesit për të mbajtur nën kontroll nivelin e çmimeve. Norma aktuale e inflacionit është 4%, pra ka prekur objektin e sipërm të bankës së Shqipërisë. Gjithsesi ky nivel inflacioni është më i ulëti në rajon.”

Gazetari: “Si e parashikoni vijueshmërinë e nivelit të çmimeve?”

Ann-Margaret Westin: “Të gjitha parashikimet tona për këtë vit tregojnë se niveli mesatar i inflacionit është 4%. Vitin tjetër do të kthehet në nivelin mesatar prej 3% duke marrë në konsideratë dhe mjedisin ndërkombëtar dhe politikat që do të ndërmarrë BSH.”

Gazetari: Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar se rritja ekonomike gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti është dyshifrore dhe se për këtë pritet certifikimi i FMN-së. Cili është komenti juaj mbi rritjen ekonomike?

Ann-Margaret Westin: “FMN bën parashikime të rritjes ekonomike, bëjmë gjithashtu edhe vlerësime të së kaluarës së afërme për të cilët nuk ka publikime akoma nga INSTAT. Parashikmet për vitin 2008 flasin për një rritje ekonomike në nivelin 6%. Tani për tani ne nuk shohim ndonjë të dhënë për të ndryshuar këtë parashikim. Ndërkaq INSTAT që është institucioni që përllogarit rritjen ekonomike, të dhënat e fundit i ka për vitin 2006. Sot për sot Shqipëria nuk ka të dhëna statistikore për prodhimin e brendshëm bruto në baza tre mujore…”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro