Austrodtrata Rrëshen-Kalimash, vepra më e rëndësishme e infrastrukturës Shqiptare po ndryshon pamjen dita-ditës.

Krahas punës voluminoze për hapjen e trasesë së rrugës dhe ngritjen e urave, së fundi ka filluar dhe shtrimi i asfaltit, duke i dhënë kështu asaj një formë më të plotë.

Fjorald Zguro: “Këtu po punohet për hedhjen e shtresave të para asfaltike. Jemi në seksionin e tretë të rrugës Rrëshen-Kalimash vetëm 10 km larg nga qyteti i Kukësit.”

KompaniaBechtel-Enka po punon për gjatë gjithë gjatësisë së autostradës me 4 korsi 60 km të gjatë nga Rrësheni në Kalimash, duke e shndërruar këtë zonë në kantierin më të madh të ndërtimit në vend.

Gati 3700 punonjës dhe 1300 makineri gjenden në terren në të 3 sektorët e rrugës. Vepra më befasuese e këtij projekti mbetet padyshim tuneli Thirrë-Kalimash, 5.5 km i gjatë.

Fjorald Zguro: “Ndërkohë që tuneli po shkon drejt bashkimit, këtu në pjesën jugore ka filluar betonimi përfundimtar.”

Edhe në krahun verior në Kalimash, po punohet 24 orë pa ndërprerje. Aktualisht është kompletuar 65 % e totalit të gërmimeve në galeri. Shefi i punimeve të tunelit turku Sali Alkan thotë se të gjitha gjasat janë që brenda 6 muajve skuadrat gërmuese nga jugu dhe veriu të takohen në mes të tunelit.

Sali Alkan: “Tani që po flasim ndodhemi në thellësi 1850 m nga hyrja e tunelit.  Këtu po punohet pa ndërprerje, duke avancuar mesatarisht 20m çdo ditë në 4 drejtime së bashku. Duke patur parasysh ritmin e punimeve, por edhe llojin e materialit që po gërmojmë, parashikojmë që në muajin prill të dy anët e tunelit të takojnë njëri-tjetrin.”

Përpara se në tunel të hidhen shtresat e betonit, të 4 anët e galerisë vishen me shtresa hidroizoluese. Secili nga këto procese certifikohet për respektimin e standardeve dhe cilësisë metër pas metri.

Jashtë galerisë vepra tjetër më e vështirë nga pikëpamja inxhinierike mbetet kjo urë, e pagëzuar si ura 88. Shifër e cila tregon lartësinë e saj. Siç shihet këtu ka nisur instalimi i trarëve të betonit.

Por paralelisht po punohet edhe në 26 urat e tjera të projektit. 8 prej të cilave kanë përfunduar tashmë dhe janë në përdorim nga kompania ndërtuese dhe mjetet e saj.

Rrëshen-Kalimash është pjesa e autostradës Durrës-Kukës -Morinë 170 km e gjatë. Sipas drejtuesve të Bechtel-Enka ky segment pritet të përfundojë qershorin e ardhshëm./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro