Pak ditë pas vizitës së Fondit Shqiptaro-Amerikan në një nga arteriet që do të lidhë Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit atë Rrëshen-Kalimash, ministri i Transporteve dhe Punëve publike Sokol Olldashi ka inspektuar nga afër punimet në këtë segment rrugor.
Duke e cilësuar si një ndër projektet më madhor dhe të komplikuar të ndërmarrë nga qeveria e djathtë, Olldashi u shpreh optimist në lidhje me ecurinë e punimeve 60 km të rrugës.
Sokol Olldashi: “Këtu ka qenë një vizitë shumë e mirë edhe për mua si ministër i Punëve publike për të parë ecurinë e punimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash. Ndryshimi nga qershori deri tani është jashtëzakonisht i madh dhe është përsëri shumë pozitiv fakti që jemi në ritmin e duhur për t’i mbyllur punimet e rrugës në afatin e kërkuar.”
Sipas të dhënave nga ministria e Punëve Publike është duke u punuar në të 27 urat ndërkohë që në 8 prej tyre puna ka përfunduar. Gjithashtu janë ndërtuar bazamente dhe këmbët mbajtëse edhe për 15 urat e tjera, pas vënies në dispozicion të 1300 makinerive.
Brenda këtij muaji pritet të përfundojë dhe ura 80 metra më e larta e këtij aksi, punimet e së cilës kanë nisur më 23 shtator. Deri tani nga 2 impiante janë prodhuar 419 trarë, 234 prej të cilëve janë instaluar tashmë.
Në të njëjtën kohë Beif po punon paralelisht në të dy tunelet, atë veri dhe jug. Sipas ministrisë së Punëve Publike deri më datën 15 tetor, progresi total i kombinuar në të dy galeritë e tunelit është 7.4 km./tvklan.alGazetare: Jolldiz Mitro