Policia e Shtetit ka filluar operacionin kundër trafikut të qarkullimit të makinave të vjedhura njohur me emrin “Liqen 2”. Policia Rrugore ka filluar në orët e para të mëngjesit kontrollin e papritur në akset kryesore të qytetit. Automjetet e dyshimta dhe ato të pashoqëruara me dokumentacion të plotë janë bllokuar. Kanë qënë vetë drejtuesit e mjeteve që janë detyruar të shoqërojnë mjetin e tyre deri në pikën e këmbimit të shoqëruar nga Policia e Shtetit.
Operacioni “Liqen 2” ka zgjatur vetëm disa orë dhe janë me dhjetra automjetet e shoqëruara nga policia. Automjetet që janë bllokuar janë cuar në repartin 100 në Mullet, ku janë futur në tynelet e këtij reparti. Drejtuesit e makinave që kanë pritur verifikimin dhe zhbllokimin e automjeteve të tyre janë kthyer mbrapsht nga forcat e Policisë Rrugore duke i thënë se verifikimi do të fillojë nga dita e nesërme. Disa prej tyre të irrituar kanë pritur me orë në hyrje te repartit ushtarak.
Ministria e Rendit nuk ka publikuar të dhëna se sa mjete janë bllokuar në Tiranë gjatë ditës, por dihet se operacioni do të vijojë me bllokimin e automjeteve të tjera, qofshin këto të strehuara edhe në garazhde private./tvklan.al